Qytetarët e Kosovës sot vendosin për kryetarët e ardhshëm të komunave dhe për përfaqësuesit e tyre në Kuvendet Komunale. Për këto zgjedhje lokale të drejt vote kanë 1 885 448 persona ndërsa sot hapen 883 vendvotime.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për kryetarë të komunave të Kosovës janë certifikuar 166 kandidatë. Në garën për asamblistë në kuvendet e të gjitha komunave janë certifikuar 5,198 kandidatë.

Në këto zgjedhje, qytetarët mund të votojnë për kryetarin e komunës dhe një asamblist. Qendrat e votimit hapen në ora 07:00 dhe pritet të mbyllen më 19:00.

Sipas KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote brenda Kosovës është 1 milion e 885 mijë e 448 votues. Ndërkohë, kësaj here, të drejtën e votës për herë të parë mund ta shfrytëzojnë 41,012 persona.

Në zgjedhjet e kaluara lokale, të mbajtura më 2017, më së shumti komuna pati fituar Lidhja Demokratike e Kosovës, në total tetë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shtatë, Partia Demokratike e Kosovës, pesë, Lëvizja Vetëvendosje tri, ndërsa Nisma Socialdemokratike dhe Aleanca Kosova e Re nga një komunë.

Nga komunitet joshumicë, më së shumti komuna pati fituar Lista Serbe, 10 të tilla, derisa Partia Demokratike Turke, një komunë. Dy komuna janë udhëhequr nga kandidatë të pavarur.