Lagjja e re qendrore e qytetit të Laçit, me 524 apartamente, 37 njësi shërbimi, 375 vendparkime, qendër tregtare, njësi shërbimi e infrastrukturë me standarde urbane të cilësisë së parë, do të hapë së shpejti dyert për familjet e prekura nga tërmeti.
Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga lagjja e rilindur në Laç, ku është bërë një punë kolosale për rilindjen e qytetit pas tragjedisë shkatërrimtare të tërmetit.
“Mirëmëngjes dhe me Laçin e Rilindur siç askush nuk e ka parafytyruar kur gdhiu dita pas tragjedisë së madhe, teksa po mbyllen detajet e fundit të kësaj zone, ku pas pak do të hapen dyert për familjet e prekura nga tërmeti, ju uroj një fundjavë të bukur”, tha Rama.
Banesat dhe blloqet e reja në Laç janë të lidhura me ujësjellësin e ri, i cili do të sigurojë ujë 24 orë pa ndërprerje për banorët. Ndërkohë, bashkë me lagjen kanë filluar punimet edhe për shkollën që i shtohet kësaj lagjeje, ku fëmijët do të kenë mundësinë të përdorin edhe ambientet komunitare të lagjes së re.