Trajneri portugez Jose Mourinho ka thënë që është përgjegjës për turpërimin e Romas me rezultat të thellë 6:1 nga Bodo/Glimt, ndeshje kjo e cila ishte e vlefshme për fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Po ashtu, kjo ishte ndeshja e parë në 1,008 ndeshje si trajner, që një skuadër e Mourinhos ka pranuar gjashtë gola brenda një ndeshjeje, përcjell KosovaPress.

Mourinho ka thënë që kishte pritur më shumë nga lojtarët e tij, dhe shtoi që tani ata e dinë pse ai zakonisht ka të njëjtin grup të lojtarëve për ndeshje, pasi që nuk ka dëshirë që të bëjë rotacione në skuadër. “Unë vendosa që të luaj me këtë ekip. Përgjegjësia është e imja. Sigurisht e kam bërë këtë gjë për dy qëllime të mira. I pari është që t’iu jap mundësi lojtarëve që punojnë shumë por nuk luajnë shumë. Kurse qëllimi i dytë ishte që t’i jap pushim lojtarëve të cilët kanë luajtur vazhdimisht”, tha Mourinho.

“Pastaj, ne pësuam nga një skuadër e cila ka kualitet më të mirë se ne. Është e thjeshtë. Skuadra kryesore e Bodo është më e mirë se skuadra e jonë që e filloi këtë ndeshje. E dija se si është gjendja e disa lojtarëve tonë, nuk ishte diçka e re, por sinqerisht prisja një ndeshje tjetër. Por sikurse vendimi ishte i imi, ashtu është edhe përgjegjësia”, shtoi trajneri portugez. Humbja ndaj Bodo/Glimt ishte më e thella në karrierën e tij si trajner, ku pas kësaj humbje në Grupin C të Ligës së Konferencës, skuadra e Jose Mourinhos AS Roma zë vendin e dytë me gjashtë pikë, një më pak se skuadra norvegjeze Bodo/Glimt.