Ky 26 nëntor, plot 2 vjet pas tragjedisë që e goditi shumë fort vendin tonë, do të jetë dita e kthimit të afro 200 familjeve në banesat e tyre të rindërtuara në njësinë administrative Bubq.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga zv.kryeministri Arben Ahmetaj vizituan sot kantierin e rindërtimit.
“Përmes programit të rindërtimit Bubqi shndërrohet në një qendër urbane të ngritur nga e para, me kushte optimale për banorët dhe komunitetin”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se nga pikëpamja e planifikimit e cilësisë së ndërtimit janë si zona rezidenciale.
Ndërsa zv.kryeministri Ahmetaj bëri të ditur se në njësinë administrative Bubq janë drejt përfundimit rreth 77 njësi individuale, nga 178 shtëpi individuale që do të ndërtohen në këtë zonë, ndërsa po punohet për ndërtimin e infrastrukturës për 43 apartamentet në pjesën e pallateve.
Sipas tij, banesat do të shpërndahen përmes një shorti publik.
Sipas zv.kryeministrit Ahmetaj janë gjithsej rreth 3 mijë familje që janë duke u sistemuar në shtëpitë e reja, rreth 2 mijë në njësi individuale dhe rreth 1 mijë janë nga grantet. “Deri në shtator të vitit që vjen s’do të kemi më asnjë shenjë nga tërmeti”, tha Ahmetaj.
Ndërkohë, shkolla për 300 nxënës të kësaj njësie administrative ka përfunduar.
Shkolla e vjetër e cila u dëmtua plotësisht nga tërmeti i 25 nëntorit ishte e ndërtuar që prej vitit 1986.