Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje sot në kuadër të Tetorit Rozë të gjitha vajzave dhe grave që të kryejnë mamografinë, për të parandaluar kancerin e gjirit. Kryeministri publikoi pamje nga Spitali Rajonal Memorial, Fier, ku vajzat dhe gratë punonjëse të këtij spitali formuan simbolin e fjongos rozë në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Në 1 tetor është çelur fushata kundër kancerit të gjirit, në muajin kushtuar luftës ndaj kësaj sëmundjeje. Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është një fushatë vjetore ndërkombëtare, që synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë botën.