Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka reaguar duke publikuar rezultatet ndër vite të VV në zgjedhjet parlamentare dhe lokale pasi Vetëvendosja nuk fitoi asnjë komunë në raundin e parë. Kurti shprehu falenderim për qytetarët ndërsa tha se do të vazhdojnë raundin e dytë në 12 komuna më 14 nëntor 2021 për zgjedhjet lokale. “Në zgjedhjet parlamentare: 12 dhjetor 2010 – Lëvizja VETËVENDOSJE! e treta në nivel vendi 6 tetor 2019 – LVV e para 14 shkurt 2021 – LVV mbi 50%.
Në zgjedhjet lokale: 3 nëntor 2013 – LVV e katërta në nivel vendi 22 tetor 2017 – LVV e treta 17 tetor 2021 – LVV e para. Ju faleminderit qytetarë të dashur. Vazhdojmë në raundin e dytë në 12 komuna më 14 nëntor 2021”, shkroi Kurti. Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 21 komuna të Kosovës do të duhet të zhvillojnë raundin e dytë të zgjedhjeve, për ta kuptuar emrin e kryetarit.
Zgjedhjet lokale në Kosovë janë mbajtur më 17 tetor dhe 17 komuna kanë zgjedhur kryetarët e tyre për mandatin e radhës, në raundin e parë. Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton më shumë se 50 për qind të votave, plus një votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme, atëherë KQZ-ja duhet të organizojë raundin e dytë mes dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota. Sipas këtij Ligji, raundi i dytë mbahet katër javë pas mbajtjes së raundit të parë.