“Kriza në Partinë Demokratike është përtej dyshes Basha-Berisha. Është e rëndësishme të diskutohet mes demokratëve së çfarë do të jetë partia demokratike, e kjo duhet të dal përtej interesave personale”, ishte reagimi i kryetares së Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi mbi situatën e krijuar në PD.
Në një intervistë për emisionin “N’kohë” në Report Tv, Ademi shprehet se qëndrimi i saj është përtej Bashës dhe Berishës.
Në PD ka një krizë që vjen si rrjedhojë jo e fakteve Basha-Berisha, por përtej asaj…Unë mendoj se duhet të jetë përtej asaj. Është e rëndësishme të diskutohet mes demokratëve se çfarë do të jetë Partia Demokratike. E kjo duhet të dal përtej interesave personale. Të dalim përtej lidershipit. Doktori edhe Basha janë anëtar të PD-së, ata kanë kryesuar Partinë Demokratike dhe në asnjë rast nuk do duhet të diskutojmë mbi këtë apo mbi atë, mendoj e diskutimi duhet të shtrohet mbi atë çfarë ne duhet të bëjmë, ndryshe kthehen në çështje personale”, tha Ademi.
Kryebashkiakja është ndalur edhe te vendimi i kushtetueses mbi zgjedhjet lokale.
“Duhet të sqarohet situata nga aspekti kushtetues në të cilën ndodhen bashkitë sot, duhet një vlerësim se çfarë duhet bërë. Unë po pres arsyetimin Gjykatës Kushtetuese për të parë se si e kanë argumentuar ndër të tjera një fakt që votimi atë ditë ishte vetëm për një parti e nuk kishte votë kundër”, tha Ademi.
Si rrallë herë, Ademi ka rrëfyer për sfidat e një kryebashkiake grua, kostoja për familjen, turizmin në qytet e deri te jeta përtej kostumit të politikës.