Në Thumanë po merr formë qyteza e rindërtuar krejt e re, me standardet më të mira, me shtëpitë dhe pallatet e reja dhe të gjithë infrastrukturën e nevojshme komunitare, ku bën pjesë edhe kompleksin e ri sportiv.
Kryeministri Edi Rama, publikoi pasditen e së dielës pamje nga kantieri i qytezës së re të Thumanës, ku puna kolosale e rindërtimit pas dëmeve që shkaktoi tërmeti, është një realitet e model i ri zhvillimi.
“Fushat e gjelbërta që postova dje po ndërtohen në kompleksin e ri sportiv të Thumanës së Rilindur”, shprehet Rama.
“Ndërsa kulla e vjetër e ujit po kthehet në një kullë të kujtesës, në nderim të viktimave të 26 nëntorit dhe në respekt të punëtorëve, që e rindërtuan pakrahasimisht më të fortë e më të bukur Thumanën”, theksoi kryeministri Rama.
Qyteza e Thumanës në bashkinë e Krujës, një nga zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, ka hyrë në fazën përfundimtare të procesit të Rindërtimit, si me shtëpitë individuale, ashtu edhe me banesat kolektive.
14 pallate dhe 156 shtëpi individuale pritet të jenë gati në fund të këtij viti për të gjithë banorët që humbën shtëpitë e tyre natën tragjike që goditi fort këtë zonë.