Nga Jakin Marena

Teksa lufta mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës për të marrë kreun e PD është në kulmin e saj, nuk kanë munguar dhe mesazhet kërcënuese ndaj njëri tjetrit.

Sali Berisha e quan Lulzim Bashën kreun e shkarkuar të opozitës dhe një deputet të thjeshtë të PD, të cilit i ka dërguar një “ferman” të nxehtë për të liruar selinë e partisë deri më 5 janar, të bazuar në vendimin e Kuvendit të 11 dhjetorit dhe referendumit të 18 dhjetorit.

Është një kërcënim “neto” e stilit të Berishës, i cili e ka paralajmëruar atë me hyrjen e dhunshme në selinë e PD përmes shqyerjes së derës, çka tregon se ish kryeministri është i vendosur për të zënë dhe zyrat pas vendimit për shkarkimin e Bashës.

Njëherësh ka dërguar dhe një kërcënim ndaj kryeministrit të vendit, duke kërkuar prej tij që të mos përzihet në punët e PD. E ka pasion kërcënimin direkt për kreun e qeverisë.

Nga ana e tij Basha i është kundërpërgjigjur Berishës me paralajmërimin se nuk do të lejojë për asnjë moment destabilizimin e partisë që drejton dhe për këtë arsye ai është gati për të përballuar çdo skenar të mundshëm.

Një kërcënim që ka sjellë dhe reagimin e “babait” të tij politik, i cili aludon se “biri” ka instaluar në seli njerëz të armatosur që qëndrojnë nëpër korridore dhe në tarracë, të gatshëm për çdo rast.

Basha si gjithnjë në përgjegjen ndaj Berishës shton dozën e ashpërsisë, ndërsa ka marrë masa të tjera për të mbrojtur selinë e PD, e cila është përforcuar me brava të reja por dhe me kamera sigurie të shtuara dhe të cilësisë së lartë për të pasur nën vëzhgim gjithçka në ditët e ardhshme.

Po i përmendim këto fakte për të treguar se gjithë beteja mes Berishës dhe Bashës me sa duket është përqëndruar në selinë e PD, ku njëra palë synon për të pushtuar “kalanë” e kësaj partie, ndërkohë që pala tjetër po e mbron me shpirt nëpër dhëmbë “sovranitetin” e saj.

Eshtë një luftë që për shumëkënd është qesharake, pasi në selinë e PD për hir të së vërtetës nuk gjendet as “vula” qeverisëse dhe as “grali i shenjtë”. Eshtë thjeshtë një godinë me mure, të ndërtuara me tulla dhe llaç, të dekoruara me ngjyra të ndryshme me dominancë blu, e “stolisur” me siglën e PD dhe me ndonjë flamur anash. Ka dhe vulën e partisë brenda!

Partia Demokratike, si të gjithë partitë e tjera nuk është një nocion abstrakt dhe atë nuk e gjallon aspak selia apo arrendimi i saj, por anëtarësia, e cila ose të mbështet ose të sikteris. Nuk ka rëndësi se ku vendos të mbledhësh dokumentet apo të bësh mbledhjet, rëndësi ka kush e ka me vete këtë anëtarësi, e cila shumëfishohet më poshtë përmes njohjeve, mbështetjeve dhe zgjerimit sa të mundet tek elektorati gri, i cili të sjell realisht në krye të vendit. E mbi të gjitha, strategjitë!

Teksa i sheh me “thikë në dhëmbë” Berishën dhe Bashën, në përpjekje për t’i bërë gropën njëri tjetrit, ia vlen të evidentojmë se, me sa duket ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë një keqkuptim shumë i madh, i cili përtej “siglës” së PD ka përfshirë dhe panelistët shqiptarë të ndarë në dy kampe pro dhe kundër dy liderëve të grupeve brenda kësaj partie.

Keqkuptimi ka ndodhur në faktin se po krijohet përshtypja se fituesi i konfliktit mes Berishës dhe Bashës do të ulet menjëherë në “fronin” e drejtimit ekzekutiv të shtetit shqiptar. Pra menjëherë pas fitores, ende pa u tharë “djersa” nga përballja mes tyre, Berisha ose Basha, sipas shansit të fitores, do të shkojë menjëherë në selinë kryeministrore dhe do të qeverisë vendin.

Madje këtë keqkuptim të madh, palët kanë nisur ta shtrijnë dhe më tej duke aluduar se SHBA mbështet fitoren e PD, në rastin e mbetjes së Bashës në krye të kësaj partie, dhe nuk e mbështet këtë fitore, nëse Berisha do të marrë “skeptrin” e drejtimit të PD.

Aq shumë e kanë karikuar anëtarësinë dhe forumet drejtuese të kësaj partie, por dhe “skuadriljet” mbështetëse të paneleve televizive, duke u përpjekur ta shtrijnë dhe tek qytetarët shqiptarë, sa duket sikur Berisha e Basha s’po luftojnë për postin e kreut të PD, por për postin e kryeministrit.

Në krye të herës duhet sqaruar se SHBA nuk ka deklaruar se mbështet fitoren e PD, por ka thënë se do të bashkëpunojë me PD nëse ajo vjen në pushtet. Pra, gjithnjë nëse vjen, jo që ta ndihmojë të vijë.

Ndërsa brenda PD-së, SHBA ka bërë të qartë se nuk mbështet Berishën e shpallur “non grata” dhe që është e shkuara. Pra me “rregull treshi” i bie të mbështesë Bashën, përderisa nuk ka ende një alternativë tjetër të tretë që mund të marrë në dorë fatet e drejtimit të PD-së.

Nga ana tjetër, kryeministër i Shqipërisë është Edi Rama, i cili po qeveris pa asnjë shqetësim, dhe gjasat janë që me këtë opozitë të bërë copë copë, të jetë në krye të ekzekutivit shqiptar pafundësisht. Derisa të realizojë atë që ka thënë, objektivin e tij të ndryshimit në Shqipëri dhe lënien e gjurmës pozitive të qeverisjes së tij në zhvillimin e vendit.

Edi Rama dhe socialistët dhe pa ndarjen e konfliktin brenda PD dhe opozitës, e ka çimentuar trupën votuese prej mbi 800 mijë votash, dhe është shumë e vështirë të çahet dhe për shumë vite. Kjo siguri vjen sa nga aftësia e vetë Ramës, sa nga punët që ka bërë, sa dhe nga fakti që elektorati i majtë gjithnjë ka qënë më i madh se sa ai i djathtë, e vertetuar në të gjitha ballafaqimet elektorale në Shqipëri që nga viti 1992.

E thënë në terma më të thjeshtë: poltroni i kryeministrit dhe qeverisja e vendit janë të zënë dhe për shumë e shumë kohë sikurse po tregojnë “bathët”. Duke mos rënë në përsëritje dhe duke u treguar sa më të butë të jetë e mundur në përdorimin e termave, ajo që mund të themi është se PD dhe opozita nuk janë të gatshme për të ardhur në pushtet as në zgjedhjet e vitit 2025 dhe as në ato të vitit 2029 me shumë gjasa.

Po përse po bëhet kjo “betejë” e fortë mes Bashës e Berishës, që ka nisur që në shtator dhe është e vështirë të përcaktohet fundi i saj, përderisa nuk bëhet fjalë për postin e kryeministrit?

Lufta mes Berishës e Bashës bëhet për të qënë kreu i partisë së dytë në vend, që korrespondon me partinë e parë opozitare, nëse s’del ndonjë subjekt i ri politik që të mbledhë të gjithë elektoratin e djathtë dhe të qendrës së djathtë, që të jetë kjo parti e re sfidante e PS.

Sali Berisha e kërkon lidershipin e partisë, për vete apo për ndonjë të besuar të tij brenda grupimit të mbështetësve aktualë, për të mbrojtur veten dhe familjen e tij nga përballja me SHBA që e ka shpallur “non grata” dhe që nesër mund t’i bllokojë të gjitha pasuritë. Por dhe për t’u mbrojtur nga drejtësia e re, e cila sado ta zvarrisë këtë proces, njëherë do ta thërrasë në bankën e të akuzuarve për të dhënë llogari për zullumet e shumta në këto 30 vite në kurriz të shqiptarëve.

Pra Berishës nuk i sjell asnjë shqetësim e dhimbje koke që PD me të apo një “zar” të tij në krye të saj nuk vjen në pushtet. Mjafton të jetë partia më e madhe e opozitës dhe kaq.

Ndërkohë që Basha e do postin e kryetarit, dhe ai për të qënë në krye të partisë më të madhe të opozitës. Këtë e ka treguar në 8 vitet e drejtimit të saj që nga viti 2013, ku më shumë se për postin e kryeministrit, ka menduar për postin e liderit të PD, pas humbjes së radhës.

Kështu kërkon të veprojë sërish, teksa deklaroi dhe publikisht arsyen pse nuk e ndryshon statutin e PD ku të përcaktohet se kryetari që humb zgjedhjet largohet me dorëheqje. Dhe deri më tani nuk i ka dalë keq. Sipas akuzave të vetë kundërshtarëve të tij brenda PD, Lulzim Basha ka vënë goxha pasuri, që nga vilat e deri tek makinat luksoze. I ka shtuar shumë thonë.

Njëherësh dhe Basha, nuk është i “imunizuar” nga akuzat për zullume në 8 vitet e qeverisjes së PD ku ka qënë ministër në tre dikasteret kryesore në vend apo dhe kryetar bashkie i Tiranës, dhe posti i kryetarit të partisë i shërben si mburojë përballë drejtësisë. Tashmë që nuk mund të kalojë asgjë me raporte, dhimbje barku apo qëndrime në Holandë. Pra të shpëtojë me procedurë. Aq më tepër Sali Berishën që “rrihte” drejtësinë për “birin” e tij, tani e ka përballë.

Praktikisht si Berisha ashtu dhe Basha po luftojnë fort për të kapur drejtimin e PD, për të garantuar komoditetin që iu jep të qenit në krye të partisë së dytë në vend, dhe beneficeve që vijnë pas kësaj, përmes pazareve që nuk rreshtin kurrë në Shqipëri por dhe “dorovitjeve” të drejtëpërdrejta si dhe përfshirja në punët publike të këtij vendi. Përmes të tretëve kuptohet.

Ndaj demokratët duhet ta mendojnë më thellë fatin e partisë së tyre, e cila përsa kohë do të rrotullohet vetëm rreth Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, do të vijojë shumë gjatë në opozitë.