Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka shtyrë vizitën e tij për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të paralajmëruar në nëntor, për në pjesën e parë të vitit 2022.
Kështu e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu. Sipas tij, kryeministri Kurti, që nga marrja e detyrës ka zhvilluar vizita zyrtare në qendra të rëndësishme perëndimore, ngjashëm do të bëjë edhe me Washingtonin:
”Kryeministri Kurti do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizita e paralajmëruar për në nëntor është shtyrë për në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.
Që nga marrja e detyrës, tetë muaj më parë, kryeministri Kurti ka zhvilluar vizita zyrtare në qendra të rëndësishme perëndimore si Bruksel, Paris e Vjenë e që do të vazhdojnë edhe në qendra të tjera vendimmarrëse përfshirë Washingtonin”.