Kryeministri Rama mori pjesë sot në dhënien e çelësave për shtëpitë e reja në Thumanë, në zonën më të prekur nga tërmeti.

Në prani të familjeve që po hyjnë në ndërtesat e ngritura nga e para, më të forta e më të mira se më parë, Rama tha se kjo lagje është shëmbëlltyrë e një rilindje në kuptimin e plotë të fjalës.

“Në rradhë të parë, më lejoni që të falënderoj me mirënjohje arqipeshkvin e sapo dërguar nga Ati i Shenjtë, për të sjellë fjalën e Zotit mes besimtarëve, këtu në vendin tonë, e posaçërisht dua që t’i them se uroj që bekimi që ai i bëri atij ulliri, i cili është mbjellë lart në platformën e depos së vjetër të dikurshme të ujit, të jetë një bekim për jetë, për të gjithë banorët që sot pjesë-pjesë, fillojnë të kthehen në shtëpi, në një Thumanë që ishte krateri i zytmë i një tërmeti shkatërrimtar, ku këtu bëri numrin më të madh të viktimave, e që sot është shëmbëlltyrë e një rilindjeje në kuptimin e plotë të fjalës” tha Kryeministri, duke falenderuar edhe njëherë punonjësit që mundësuan ngritjen e këtyre ndërtesave.

“U jam mirënjohës të gjithë atyre që punuan, të gjithë punëtorëve, të gjithë inxhinierëve, të gjithë arkitektëve, Fondit Shqiptar të Zhvillimit që me një përkushtim të jashtëzakonshëm e me një profesionalizëm për t’u admiruar, çuan përpara një proces aspak të lehtë, për mundësimin e kësaj pamjeje që pa asnjë diskutim dy vjet më parë mes lotëve të asaj tragjedie, askush nuk do ta kishte besuar dot se do të ishte Thumana e dy vjetëve më pas”.

Rama nuk harroi të shprehte mirënjohje edhe për donatorët që kanë lënë gjurmë me solidaritetin e tyre, për të mbështetur qytetarët e prekur nga fatkeqësia e nëntorit të 2019.

“I jam mirënjohës edhe atyre që na u bashkuan në këtë përpjekje, që nga Behgjet Pacolli, i cili ka lënë gjurmën e mirësisë dhe të solidaritetit të tij në një prej këtyre godinave dhe tek fondacioni Shqiptarët për Shqiptarët, me Elvis Nacin, që kanë lënë gjurmën e tyre përgjithmonë këtu, të solidaritetit me njerëzit, në banesat individuale, pranë këtij kompleksi që u ndërtua për të prekurit nga ajo fatkeqësi e madhe, me mbështetjen dhe financimin e plotë të qeverisë shqiptare” tha Kryeministri duke theksuar se përmes bashkimit të forcave u arrit të ngriheshim nga gërmadhat për të shkuar drejt një të ardhmeje më të mirë.

“Një bashkim forcash, një bashkim energjish, që jam shumë krenar që e kemi udhëhequr vendosmërisht por dhe me këto rezultate që shohim, në një kohë aspak të lehtë, jo vetëm për shkak të plagëve të mëdha të cilat duan kohën e tyre për t’u kuruar e për t’u shëruar pas asaj që na ndodhi dy vjet më parë, por edhe për shkak të një plage tjetër të madhe që u hap papritur në rrugën e rindërtimit, siç ishte pandemia që vazhdon qëndron si një re e zymtë mbi kokat tona”.

Kryeministri tha se me shtëpitë e reja, banorëve u mundësohen dhe facilitete të reja si nga shërbimet private, ashtu edhe nga ato publike.

“Në një shtëpi shumë më të bukur, në një shtëpi shumë më të fortë, në një shtëpi shumë më komode, në një shtëpi që është pjesë e një kompleksi që krijon komunitet, me gjithë këto kate të para shërbimesh, qofshin shërbime private, qofshin dhe shërbime publike. Në hapësira ku së bashku me bashkinë e Krujës ne do të krijojmë shumë më tepër mundësi, që as nuk mendoheshin përpara tërmetit dot se mund të krijoheshin këtu, për fëmijët e këtij komuniteti”.

Kryeministri tha se vetë pozicioni i Thumanës i mundëson një rritje ekonomike që do të nxitet në vitin 2023 nga Korridori Blu.

“Nga ana tjetër, Thumana është pjesë vetvetiu për shkak të pozicionit të saj, e një hapësire ku do të shtrihet një vepër e madhe e kësaj dekade që do të fillojë së shpejti, brenda këtij mandati, shpresoj dhe uroj që të ndodhë në nisje të vitit 2023 maksimalisht, që është korridori blu. E gjithë autostrada e re që do të kalojë nga Murriqani, do të zbresë në Milot, do të vijë në Thumanë dhe do të shkojë në Kashar, në Rrogozhinë e deri në Fier, për tu lidhur më tutje me autostradën që çon në Vlorë e me bypass-in e vlorës për të vazhduar më tej.

Është një vepër e domosdoshme duke pasur parasysh që rruga aktuale që shfrytëzohet nga Shkodra në Lezhë dhe më poshtë deri në Tiranë, nuk mban më. Është me gjithë riparimet, me gjithë mirëmbajtjen shumë më të mirë se më parë, me gjithë investimet që janë bërë, një aks që nuk e përballon dot më, gjithë fluksin e madh që derdhet mbi të dhe për këtë arsye është e domosdoshme që të ndërtohet autostrada e re që do të jetë vepra më e madhe e infrastrukturës rrugore kombëtare e ndërtuar në republikën e Shqipërisë dhe do të prekë si e tillë gjithë vendin duke impaktuar jetën ekonomike të vendit por patjetër duke qenë një favor i madh sidomos për vendbanimet përfshirë dhe Thumanë që janë kaq pranë saj”.

Kryeministri theksoi se procesi i rindërtimit ka ecur me ritme të shpejta, pavarësisht pandemisë duke rezultuar në një bilanc pozitiv, e gjithashtu shtoi se procesi ka nxitur edhe nisjen e problemeve të pronësisë.

“Jo vetëm për ata që ishin nën një kulm por edhe për shumë kurorat në një kulm të vetëm, pra nuk kemi ndërtuar vetëm për të njëjtën përbërje të familjes në një kulm por kudo ku ka pasur dy kurora apo tre kurora në një kulm, përgjigja jonë ka qenë dy apo tre shtëpi, që do të thotë që shumë nga ata që janë përfitues të rindërtimit, dalin nga ky kalvar vështirësish me 2-3 apo më shumë shtëpi në ndonjë rast në bazë të kurorave, ndërkohë që nuk ka të krahasuar nga pikëpamja e cilësisë shtëpia e tyre e humbur me shtëpitë që marrin.

Përtej kësaj, afrimi i shumë familjeve pranë qendrave të banuara pasi humbën shtëpi që ishin shumë larg, krijimi i komuniteteve si këtu duke i dhënë mundësinë familjeve që kanë banuar më larg se sa kjo rreze që të afrohen por pa i marrë pronën aty ku e kishin ndërkohë që aty nuk kanë më shtëpinë pasi shtëpia është rrëzuar apo është dëmtuar, por kanë tokën, të cilën do të vazhdojnë ta shfrytëzojnë e përtej kësaj, e gjitha kjo pa rënduar asnjë lek as sot e as kurrë mbi të gjithë ju që jeni këtu e mbi të gjitha familjet që do të marrin shtëpitë”.

Rama e mbylli fjalën e tij duke rikujtuar se Shqipëria po i dhuronte plotësisht shtëpitë pas tërmetit dhe se duhej edhe pak durim, sepse “po ta krahasojmë me vende të zhvilluara si Italia, ku shtëpitë e dëmtuara nga tërmetet para 10 apo 15 vitesh nuk janë restauruar ende”, ndërsa rindërtimi në Shqipëri po mbyllet në pak më shumë se dy vite pas tërmetit.