Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaron se Kosova nuk ka problem më të madh se ai i raportit me Serbinë.
Shefi i ekzekutivit kosovar në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda” la thënë se “Problemi ynë më i madh është Serbia, e cila as nuk mund ta mendojë e as ta pranojë Kosovën si shtet të barabartë dhe fqinj”, ka thënë Kurti.
Ai e ka akuzuar Serbinë për sjellje armiqësore edhe ndaj shteteve tjera të dala nga ish-Jugosllavia, ndërsa e ka krahasuar me Rusinë.
“Serbia po sillet në Ballkanin Perëndimor sikur Rusia me fqinjët e saj: entitetin e Republikës Serbe në Bosnjë tenton ta shndërrojë në Bjellorusi, ndërsa Malin e Zi në Ukrainë.”
“Në thelb, Serbia nuk e njeh shtetësinë e vendeve që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian – Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën, e madje as Maqedoninë e Veriut.
Përkundrazi, këto shtete i konsideron si të përkohshme dhe me të gjitha kapacitetet e veta angazhohet ta shkatërrojë shtetësinë e tyre”, ka thënë Kurti.
Ndërkohë, ka ripërsëritur qëndrimin kundër projektit të “Ballkanit të Hapur”.
“’Ballkani i Hapur’ më shumë i ngjan një Ballkani që është i hapur ndaj ndikimeve nga Lindja, veçmas nga Federata Ruse dhe Kina, i hapur për autokraci, korrupsion, krime lufte… Gjithçka kundër vlerave evropiane të demokracisë dhe sundimit të ligjit”.
Kurti nuk i është përgjigjur pyetjes nëse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kuptohet më mirë se ai me presidentin e Serbisë, Alekandar Vuçiqin, por ka përmendur mbledhjen e fundit të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë dhe nënshkrimin e 13 marrëveshjeve të reja midis tyre.