Reshjet e dendura të shiut kanë përfshirë të gjithë qarkun e Shkodrës prej 24 orësh ndërsa në zonat e thella malore janë rikthyer reshjet e dëborës.
Për pasojë janë shtuar prurjet në kaskadën e lumit Drin por situata paraqitet normale në 3 hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vau – Dejësit.
Edhe niveli i lumenjve Drin, Bunë dhe Kir si dhe liqeni i Shkodrës janë në kuota normale për periudhën e Dimrit dhe janë disa metër larg zonës së rrezikut që mund të shkaktojë përmbytje në zonën e NënShkodrës.
Shtabi i Emergjencave civile raporton se problemi i vetëm i 24 orëve të fundit është energjia elektrike ku po punohet për riparimin e defekteve në fshatrat e Gjegjanit, Rrapës dhe Qafë Malit në Fushe Arrez, në Puke ka shkëputje të energjisë në Luf, e gjithashtu edhe në disa zona të Vau Dejes.
Në Shkodër, probleme janë raportuar në Cas, Zues dhe në disa lagje të qytetit me Fiderin 5. Teksa dëbora e dendur vazhdon në zonat e thella malore dhe fshatrat turistik të Kelmendit në Malësinë e Madhe janë të izoluar për shkak të bllokimit të rrugës kryesore dhe mos pastrimit të saj, lajmi i mirë është se në Theth, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka vendosur në dispozicion 2 borëpastruese të reja.
Në ndryshim nga vitet e kaluara ku rruga pastrohej nga zetoret e forcave te armatosura, këtë herë, borepastrueset në pak minuta largojnë deborën duke bërë rrugën të kalueshme. Pavaresisht reshjeve të dendura, aktualisht rruga e Thethit është e kalueshme.