Në Thumanë, Kavajë dhe Laç ka nisur dorëzimi i çelësave të banesave të reja që u ngritën nga procesi i rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit. Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, kryeministri Edi Rama shprehet se çdo apartament i ndarë me short publik.
Siç shprehet kreu i qeverisë, “shkalla, kati për çdo familje është caktuar pa asnjë ndërhyrje apo ndikim nga jashtë, me anë të shortit publik.”
Ndërsa sjell në vëmendje që dikur edhe banesat sociale ndaheshin me “lek dhe mik”, Rama shton se kushdo që ka ankesa mund të drejtohet në platformën e bashkëqeverisjes.
EDI RAMA NË FACEBOOK
“TRANSPARENCA dhe DREJTËSIA në ndarjen e apartamenteve të Rindërtimit është një element kuptimplotë i kësaj historie të bukur solidariteti, respekti, përkushtimi maksimal të politikës ndaj njerëzve më në nevojë?
Çdo apartament është ndarë me short publik dhe jo vetëm që çdo metër katror i Rindërtimit ka shkuar për familjet e prekura nga tërmeti, po edhe pozicioni, shkalla, kati për çdo familje është caktuar pa asnjë ndërhyrje apo ndikim nga jashtë, falë shortit publik?
Dikur edhe banesat sociale ndaheshin me lek e me mik, madje në jo pak raste merreshin nga njerëz me pushtet, ndërsa sot ajo praktikë i përket të shkuarës së abuzimeve me pushtetin e dallavereve me shtetin?
Për të mos lejuar që asnjë gabim i vetëm njerëzor apo largqoftë edhe i qëllimshëm ta cënojë këtë proces ku njerzillëku ka qenë qysh ditën e parë thelbi i përpjekjes sonë, cilido që ka një ankesë mund të drejtohet në platformën e bashkëqeverisjes https://shqiperiaqeduam.al??“