Në vijimësi të përparësisë së qeverisë shqiptare për rritjen e standardit të shërbimit në strukturat shëndetësore, do të fillojë rindërtimi i Spitalit Infektiv me standarde bashkëkohore.
Shërbimi për këta pacientë do të ofrohet në ambientet e spitalit Covid3 dhe në varësi të numrit të rasteve, sipas një plani të përcaktuar. Ndërkohë shërbimi i urgjencës infektive do të ofrohet në ambientet e urgjencës kirurgjikale në QSUT.
Për këtë arsye, urgjencat kirurgjikale të Kirurgjisë së Përgjithshme Abdominale të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, do të transferohen pranë Spitalit Universitar të Traumës dhe Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, duke filluar nga data 27.12.2021.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka marrë masa që investimi të vijojë për projektin madhor të Spitalit Infektiv, teksa po krijohen kushtet e duhura për trajtimin e pacientëve me COVID-19 në shërbimin e urgjencës kirurgjikale dhe spitalit Covid3.
Në kuadër të riogranizimit, MSHMS informon se do të bëhet zhvendosja e urgjencave kirurgjikale në spitalet ‘Shefqet Ndroqi’ dhe Spitalin Universitar të Traumës, koordinimi i të cilave do të kryhet nga Urgjenca Kombëtare.
Ndërhyrjet kirurgjikale të urgjencës në shërbimin e kirurgjisë së përgjithshme abdominale, do të kryhen për pesë ditë në javë në Spitalin e Traumës, më konkretisht, nga dita e hënë deri të enjte si dhe ditën e dielë, ndërsa dy ditë në javë, të premte dhe të shtunë do të kryhen në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kujton edhe njeherë numrin 127 për të gjithë qytetarët që kanë nevojë për kujdes shëndetësor. Koordinimi i të gjithë urgjencave kirurgjikale, ashtu si të gjithë urgjencat mjekësore do të kryhet nga Urgjenca Kombëtare.