Nga sot, për të hyrë në Kosovë, çdo qytetar duhet të ketë certifikatën e vaksinimit anti-COVID me dy doza. Vendimi është miratuar nga qeveria e Kosovës më 1 dhjetor të vitit të kaluar në kuadër të masave anti-COVID, nëj pjesë e të cilave kanë hyrë në fuqi menjëherë, mirëpo, një pikë e këtij vendimi ishte lënë për datën 3 janar të vitit 2022.
Sipas këtij vendimi, nga sot, për të hyrë në Kosovë, secili person duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19. Ndërkaq personat të cilët nuk i kanë dy dozat e vaksinës, do të kenë mundësi të vaksinohen në pikën kufitare aeroportin “Adem Jashari” dhe në pikat kufitare në Vermicë, Merdare, Dheu i Bardhë dhe Hani i Elezit.
Masat e tjera anti-COVID në Kosovë
Sipas masave anti-COVID që janë në fuqi, lëvizja e qytetarëve lejohet nga ora 05:00 e mëngjesit, deri në orën 00:00 të mesnatës. Lokalet e gastronomisë lejohen të punojnë deri në orën 23:00, ndërkaq muzika duhet të ndalet në orën 21:30. Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19, apo certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë, jo më e vjetër se katër (4) javë, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë, ose certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë).
Masat e reja anti-COVID në Mal të Zi
Për shkak të përhapjes së variantit të ri të COVID, Omicron, shumë vende po marrin masa. Dje hynë në fuqi masat e reja anti-COVID edhe në Mal të Zi. Para se të niseni drejt vendit fqinj duhet të keni parasysh që për të kaluar kufirin duhet të jeni të pajisur me certifikatë vaksinimi të plotë me numrin e duhur të dozave dhe që nga doza e dytë nuk duhen të kenë kaluar më shumë se gjashtë muaj. Po ashtu, lejohet kalimi në kufi nëse keni vërtetim që e keni kaluar Covid-19, jo më pak se 10 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë nga testi pozitiv. Në të dyja rastet e mësipërme qytetarët duhet të kenë patjetër ose testin negativ PCR jo më të vjetër se 72 orë, ose testin e shpejtë Antigen jo më të vjetër se 48 orë. Kjo do të thotë që nuk është më e mundur hyrja në Mal të Zi vetëm me test negativ.