Nga Ben Andoni

Akti me të cilën Komiteti i Rithemelimit të Partisë Demokratike po mund të prezantojë të ardhmen e veprimeve të tij është i thjeshtë: Rikthimi i normalitetit dhe legjitimitetit të Partisë së vërtetë Demokratike, dalë nga Kuvendi i 11 Dhjetorit. Ndryshimet përkatëse të statutit, me ndihmën e mbështetjen e një mase të madhe militantësh të PD-së, që realisht Basha nuk i përfaqëson, janë depozituar në Gjykatë bashkë me të gjitha modalitetet përkatëse. Në një garë force, kryetari aktual i PD-së, Basha, konfirmuar nga Kuvendi i 18 Dhjetorit, ka shkuar një hap më lart kur ka përcjellë në SPAK deputetët që sipas tij kanë prekur simbolikën e Partisë. Për zotin Shehu, një nga njerëzit kryesorë të këtij formacioni aksioni mbetet politik dhe aspak i dhunshëm, paçka se Berisha, iniciatori i këtij aksioni ka treguar me anë të parabolave të tij se: ky skenar mund të jetë i pranishëm. Veçse dhuna nuk është më mjet për Grupin “Berisha” për të marrë Godinën, ashtu si mëtohet por shndërrohet direkt në penalitet nëse do kalojnë caqet. Dhe, këtë më shumë se të gjithë të tjerët e dinë PD-istët që kanë mbajtur në kurriz tallazet politike.

Në të gjithë këtë hulli, të vetmit që nuk po ndihen janë kryetarët e partive të vogla, aleate të PD-së. E para për kredo morale, pasi kryetarët e tyre kanë përftuar realisht nga favorizimi, bërë prej kryetarit aktual Basha, përveç z. Ndoka, që i tradhtuar prej tij ka dalë haptas kundër. Dhe, e dyta për paqartësi. Tek e fundit është problem i brendshëm i PD-së. Më i qartë në veprimin e tij po duket z. Dashamir Shehi, që qoftë për kulturën e tij politike por edhe përvojën ka shkuar në zgjidhjen reale të problematikës së PD-së: Largimin e njerëzve që e krijuan këtë kaos, Berisha dhe Basha. Realisht, kjo, po përcjell edhe realitetin e kësaj force. Pasi me gjërat që kanë thënë ndaj njëri-tjetrit, SPAK-u duhej të kishte punë të qëruar për aksionet e veta, që ende nuk kanë ndonjë peshë në bursën e pritshmërive demokratike shqiptare. PD-ja jo thjesht ka nxjerrë të gjithë të palarat jashtë, nëse do të shpreheshim kështu, por ka prishur dhe shumë nga imazhi dhe besueshmëria e kësaj partie. Për të ardhur keq është se edhe shumë personalitete politike, që mbështesin njërën apo tjetrën palë, nuk ngrihen mbi tandemin Basha-Berisha për të vendosur. Kulti i individit, ngritur mbi Sali Berishën dhe ushqyer tashmë direkt dhe indirekt nga ndjekësit, apo mënyra sesi po e mban PD-në Basha jo vetëm i ka lodhur njerëzit, por ka treguar se edhe demokracia e vendit tonë, nuk ka të ardhme. Ndaj, ka ardhur koha që këtë hapësirë të madhe të mbetur bosh të mund ta marrin partitë e vogla, kurse kryetarët e tyre që mundohen të jenë politikisht korrekt me njërën apo tjetrën palë, duhet të merren me njerëzit por më shumë se kaq me alternativa opozitare për shqiptarët. PD-ja na mësoi sesa keq është kur ngrihen kulte dhe kur nuk ekziston demokracia e brendshme në parti, kurse agonia e saj nuk të ngjall më keqardhje, por trishtim, që po merr me vete dhe ëndrrat e aq njerëzve idealistë.
Kurse, njerëzit e partive të vogla të Djathta, kanë mundësinë më të madhe, që duke respektuar demokracinë dhe elektoratin e tyre, të tregojnë se vendi ka edhe shumë alternativa të tjera. Kur vetë grupi i njerëzve të PD-së me aq përvojë politike nuk e gjen dot mundësinë të shikojë të vërtetën e krizës së tyre dhe po nxjerrin zezona, atëherë çfarë mund të presësh nga militantët e thjeshtë. Ky është pra, jo thjesht rasti por mënyra sesi duhet të funksionojë këtej e tutje demokracia shqiptare, me fragmentarizim më të madh dhe me parti alternativa, ku shqiptarët të gjejnë veten e tyre. Është koha për kryetarët e partive që shfaqen intensivisht në media vetëm kur afrohet fushata zgjedhore të tregojnë sesa vlejnë por edhe sa mund të bëjnë ndonjë lloj ndryshimi. (Javanews)