Është caktuar pozicionimi në fletën e votimeve për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, ku për secilën nga gjashtë bashkitë ku garohet, do të ketë një pozicionim të ndryshëm në fletën e votimeve.
Në Shkodër, do të jetë Partia Socialiste, ajo e renditura e para, me kandidatin e saj. Në pozicionimin e dytë do të jetë emri i Bardh Spahisë, i cili garon nën siglën e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, i drejtuar nga ish-kryeministri, Sali Berisha.
Partia Demokratike me kryetar Lulzim Bashën, do të jetë e renditur e treta.
Në Lushnjë, sërish socialistët do të kenë pozicionimin e parë në listë. Por, në numrin dy, do të jetë Partia Demokratike. Shtëpia e Lirisë në këtë rast merr pozicionin e tretë në listë.
Rrogozhina do të shohë të parën PD-në. PS do të jetë e dyta dhe Shtëpia e Lirisë, e treta.
Në Vorë, kreun e listës e merr koalicioni i Berishës. Emrin e dytë e marrin socialistët dhe të tretin, demokratët.
Durrësi, do të shohë po të njëjtin skenar me Vorën. Ndërsa, Dibra, Shtëpinë e Lirisë e lë në vend të parë dhe më pas rendit PD-në dhe PS-së.
Bashkia Shkodër:
“Partia Socialiste e Shqipërisë” (PS)
“Koalicioni “Shtëpia e Lirisë” (Sh-L)
“Partia Demokratike” (PD)
Bashkia Dibër:
“Koalicioni “Shtëpia e Lirisë” (Sh-L)
“Partia Demokratike” (PD)
“Partia Socialiste e Shqipërisë” (PS)
“Lëvizja e Re” (LRE)
Bashkia Durrës:
Koalicioni “Shtëpia e Lirisë” (Sh-L)
“Partia Socialiste e Shqipërisë” (PS)
“Partia Demokratike” (PD)
Bashkia Vorë:
Koalicioni “Shtëpia e Lirisë” (Sh-L)
“Partia Socialiste e Shqipërisë” (PS)
“Partia Demokratike” (PD)
Bashkia Rrogozhinë:
“Partia Demokratike” (PD)
“Partia Socialiste e Shqipërisë” (PS)
Koalicioni “Shtëpia e Lirisë” (Sh-L)
Bashkia Lushnjë:
“Partia Socialiste e Shqipërisë” (PS)
“Partia Demokratike (PD)
“Koalicioni “Shtëpia e Lirisë” (Sh-L)
KQZ shqyrtoi edhe kërkesën e subjektit zgjedhor “Lëvizja e Re” për regjistrimin e kandidatit për kryetar në bashkinë Durrës, z. Jonid Robert Nano për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie të datës 6 mars 2022.
Në përfundim të shqyrtimit, Komisioneri konstatoi se dokumentacioni i depozituar nga subjekti zgjedhor “Lëvizja e Re”, për regjistrimin e kandidatit për kryetar bashkie, në bashkisë Durrës, z. Jonid Rober Nano, nuk është në përputhje me parashikimet e nenit 68, pika 3, të Kodit Zgjedhor dhe vendosi mosregjistrimin e z. Nano si kandidat.