Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë apel te qytetarët që sa më shpejt të marrin dy dozat kundër virusit.
Përmes një shkrimi në Facebook, kryeministri Kurti ka thënë se sot kemi shënuar mbi 1.8 milionë doza të vaksinës anti-COVID të administruara në Republikën e Kosovës, ndërsa gati 900 mijë qytetarë janë vaksinuar me të paktën një dozë.
“Këto arritje kanë ardhur si rezultat i vullnetit të qytetarëve të Republikës për të mbrojtur vetveten dhe të tjerët rreth tyre, si dhe i punës së palodhshme të punonjësve shëndetësorë, për të cilën jemi të gjithë falënderues”, ka shkruar Kurti.
“Mirëpo, përderisa pandemia ende nuk ka marrë fund, edhe fushata jonë e vaksinimit duhet ende të vazhdojë. Për këtë arsye, kemi pranuar dje një donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej 515,970 dozave shtesë; në total arrihen mbi 1 milion vaksina të dhëna nga ShBA”.
Ai tha se ky donacion do ta ndihmojë Kosovën që të zgjerojë sa më shumë imunitetin mes popullatës sonë.
Kurti i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin dy dozat e para sa më shpejt.
“Mbrojtja kundër infektimit, spitalizimit dhe humbjes së jetës bie dukshëm duke filluar disa muaj pas imunizimit me dy dozat e para. Andaj, për ta rifituar imunitetin e plotë duhet të merrni edhe dozën e tretë përforcuese, posa të kalojnë tre muaj pas marrjes së dozës së dytë”, ka shkruar Kurti, duke shtuar se “me kujdes të shtuar, bashkë do t’ia dalim”. Deri më sot janë dhënë 92,902 doza përforcuese dhe doza të treta të vaksinës kundër COVID-19.