367,326 qytetarë kanë dhënë përgjigje për 12 pyetjet në pyetësorin e Këshillimit Kombëtar.

Kryeministri Edi Rama ftoi sot të gjithë ata qytetarë që ende nuk e kanë plotësuar pyetësorin e Këshillimit Kombëtar t’u bashkohen atyre që e kanë plotësuar.

“Kush ende nuk është përfshirë le të bashkohet me 367,326 qytetarët, të cilët kanë dhënë përgjigjet e tyre për 12 pyetjet që adreson qeveria shqiptare në pyetësorin e Këshillimit Kombëtar”, shkruan Rama në një postim, teksa ka publikuar edhe linkun ku mund të plotësohet pyetësori online https://keshillimikombetar.al

Në 5 janar të këtij viti, Kryeministri Rama njoftoi nisjen e procesit të Këshillimit Kombëtar, përmes të cilit qytetarët do të shprehin mendimin e tyre lidhur me çështje që kanë të bëjnë me ekonominë, punën, familjen, drejtësinë, luftën kundër kriminalitetit, apo procesin e integrimit evropian të vendit.