Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, qeveria po bën një sforco të jashtëzakonshme, të përditshme, për t’i mbrojtur konsumatorët familjarë dhe bizneset, nga rritja e çmimit të energjisë elektrike, gjë që po ndodh në të gjitha vendet, rreth e rrotull, kudo.
I pranishëm në ceremoninë e mbajtur në aeroportin e Kukësit me rastin e uljes së avionëve të kompanisë WizzAir, kryeministri Rama, u shpreh se, “drejtori i “WizzAir” tha një fakt që është shumë domethënës, shumë kuptimplotë dhe pse për shumëkënd dhe posaçërisht për ata që preferojnë të dhënat e rrjeteve sociale në raport me të dhënat e shkencës që nga vaksinat deri tek të gjitha llojet e shifrave, ky fakt mund të mos ketë rënë në vesh, apo mund të mos bjeri në vesh”.
“Vetëm nga kjo kompani dhe nga oferta e saj, por në kontekstin e uljes tërësore të peshës së kostove të aeroportit të Tiranës, u janë kursyer qytetarëve shqiptarë 120 milionë euro. Dhe llogaria që ne bëjmë pak a shumë në total, është dyfishi i kësaj shifre, në bileta. Vetëm në bileta”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se, “për të gjithë ata që ankohen që ne vetëm rrisim, vetëm shtrenjtojmë, ndërkohë që e kundërta është e vërtetë. Kudo ku ne kemi mundësi të ndikojmë, ne ndikojmë. Dhe faktikisht sot kemi një vend me barrën më të ulët të taksave në rajon dhe në Evropë pa diskutim, për individët, qoftë për biznesin e vogël, qoftë për konsumatorët familjar”.
Rama nënvizoi se, “qeveria po bën një sforco të jashtëzakonshme, të përditshme, për t’i mbrojtur konsumatorët familjarë dhe bizneset, këtu në këtë vendin tonë të vogël dhe me halle, nga rritja e çmimit të energjisë elektrike, gjë që po ndodh në të gjitha vendet, rreth e rrotull, kudo”, tha Rama./ATA