Kryeministri britanik Boris Johnson është akuzuar nga Kremlini si lideri më aktiv anti-rus, pas njoftimit të sanksioneve të reja dhe urdhërit për të shënjestruar rezervat e arit të Vladimir Putin. Downing Street, zyra e kryeministrit britanik, tha se Johnson ishte ndër liderët më aktivë anti-Putin, pasi ai kërkoi të mblidhte liderët në një samit të NATO-s në Bruksel për të ofruar më shumë mbështetje ushtarake për Ukrainën. Johnson miratoi një paketë të re prej 6,000 raketash të tjera për Ukrainën dhe njoftoi sanksione ndaj 65 individëve dhe subjekteve të tjera.

Mes atyre që u prekën nga urdhër ndalimet për të udhëtuar dhe ngrirjet e pasurive ishin “Wagner Group”, një organizatë paraushtarake ruse e akuzuar për komplot i cili përfshinte një atentat kundër presidentit Volodymyr Zelensky. Përgjigja e Britanisë së Madhe në veçanti duket se ka ngacmuar Putinin. “Përsa i përket Johnson, ne e shohim atë si pjesëmarrësin më aktiv në garën për të qenë anti-rus. Kjo do e çojë politikën e jashtme në një rrugë qorre”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

“Kryeministri është ndër liderët më aktivë kundër Putinit”, tha zëdhënësi zyrtar i kryeministrit britanik Johnson. “Ne nuk kemi asnjë problem me popullin rus dhe në fakt kemi parë shumë që protestojnë me guxim, si (lideri i opozitës i burgosur) Alexei Navalny, kundër regjimit të Putinit dhe i bëjmë thirrje që të ndërpritet kjo luftë”, shtoi zëdhënësi.