Zyrtarët rusë kanë konfirmuar se zëvendëskomandanti i flotës ruse të Detit të Zi, njëherazi dhe kapiten i rangut të parë, Andrei Paly, ka vdekur gjatë luftimeve në Mariupol. Edhe Ukraina ka konfirmuar vdekjen e komandantit të lartë.

Vdekja e Paly u konfirmua fillimisht nga sekretari i kolegjit detar Nakhimov, Konstantin Tsarenko, në rrjetin social “Vkontakte”.

Më vonë, një senator rus nga Sevastopol – baza e Flotës së Detit të Zi në Krimenë e aneksuar nga Rusia – tha në një postim në “Vkontakte” se “Sevastopol ka pësuar një humbje të rëndë, të pariparueshme.

“Paly vdiq në betejat për çlirimin e Mariupolit nga nazistët”, thuhet në deklaratën e palës ruse.

Guvernatori i Sevastopolit Mikhail Razvozhayev tha në një postim në Telegram se “Andrei Nikolaevich zgjodhi të mbrojë Atdheun si vepër të jetës së tij dhe vdiq për të ardhmen paqësore”.

Burimet ukrainase kanë raportuar për vdekjen e pesë gjeneralëve rusë në luftimet që shpërthyen me pushtimin e Rusisë më 24 shkurt. Rusia ka konfirmuar zyrtarisht vetëm një nga këto viktima, më konkretisht Gjeneralin Andrei Sukhovetsky.