Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me bizneset e rrjetit të furnizuesve të ushqimeve, të cilëve i shpjegoi pse nuk mund të ulet më tej çmimi i naftës.

“Ne kemi nevojë për ju dhe gjithë atë që i kanë ngritur këto linja furnizimi dhe struktura. Përse nuk e ka falas naftën Arabia Saudite, kur ne as nuk e kemi naftën si Arabia Saudite” tha Kryeministri.

Më tej ai tha se të gjitha familjet dhe bizneset e vogla nuk kanë asnjë rritje të çmimit të energjisë.

“Nuk duam të relativizohen masat që po marrim ne për të lehtësuar barrën e familjeve dhe bizneseve nga çmimet që vendosni ju”, deklaroi Rama duke shtuar “Duam bashkëpunimin tuaj të plotë dhe nuk e duam me detyrim, e duam me dëshirë”.

“Kush nuk do ta pranojë këtë vijë sjellje do të përballet me masa ekstreme. Duam të garantojmë se nëse themi që çmimi i vajit do jetë ky, dhe do jetë i njëjtë kudo, askush nuk do e ketë më lartë”, tha Kryeministri.

“Kontrollet nëpër markete për këto çmime do të jenë të vazhdueshme dhe pasoja do të jetë mbyllja e marketit” theksoi Rama duke shtuar se kjo nuk cënon palcën e bizneseve, pasi qeveria do të garantojë edhe vijimësinë e bizneseve, por në asnjë mënyrë nuk duhet të pretendojnë të përfitojnë nga kjo situatë.