Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e sotëm me pamjet fantastike nga Kopshti i ri Zoologjik i Kryeqytetit. Falë investimit të Bashkisë së Tiranës, fëmijët dhe familjet e kryeqytetit do të kenë një Kopësht Zoologjik njësoj si në qytetet e Evropës.
“MIRËMËNGJES dhe me Kopshtin e rilindur Zoologjik të Tiranës, i cili së shpejti do të hapë dyert për fëmijët e kryeqytetit e të të gjithë Shqipërisë, ju uroj një fundjavë të qetë”, shkruan Rama.
Bashkia e Tiranës po përfundon edhe ato pak detaje që kanë mbetur nga puna për kopshtin e ri Zoologjik për t’i dhënë Tiranës kopshtin e munguar me pasuri speciesh e me standarde evropiane kujdestarie.
Plani parashikon lidhjen e Kopshtit Botanik dhe atij Zoologjik, duke krijuar një hapësirë të vizitueshme.
Rehabilitimi i zonës së kopshtit botanik dhe atij zoologjik pritet që të shtojë dhe numrin e vizitorëve të vegjël, të cilët do të kenë mundësi të njihen me faunën dhe florën e këtij parku. Rijetëzimi i Kopshtit Botanik dhe Zoologjik në kryeqytet ka qenë një ndër projektet e premtuara të kryebashkiakut Erion Veliaj, në vitin 2015, kur kandidoi për Bashkinë e Tiranës dhe tashmë bëhet realitet.