Juventusi në provimin e Bologna, nesër nga ora 18:30 në “Allianz Stadium”. Bardhezinjtë synojnë të përsërisin suksesin e Cagliarit për të mbajtur larg Romën dhe të përpiqen të kalojnë ndonjërin nga ata që kanë rivalë për zonën e Champions-it. Massimiliano Allegri e gjen veten në një emergjencë në mesfushë, me vetëm dy lojtarë në dispozicion, për shkak të lëndimeve të Locatelli, McKennie dhe Arthur.
Allegri, megjithatë, nuk ankohet për mungesat: “Ne mbërrijmë në ndeshje pas një jave të mirë pune. Dua ta përshëndes Sinisha, i uroj shërim të shpejtë. Bologna është fizikisht mirë, nuk është e lehtë për t’u mposhtur. Na duhen pikë, sepse ka ende shumë për ta konsoliduar vendin e katërt”.
Në mbrojtje, ndryshe nga mesfusha, ka një zgjedhje: “Bonucci është mirë, por duhet të vendos mes tij dhe Chiellinit, sepse duhet të menaxhoj dy ndeshje”. E radhës është gjysmëfinalja e Kupës së Italisë me Fiorentinën.
Megjithatë, para Kupës së Italisë, është Bologna dhe vendi i katërt për t’u konsoliduar: “Do të ishte mirë të vazhdoja në Champions League dhe më vjen keq për Superkupën. Që të merrni trofe në shtëpi duhet të ndërtoni disa themele për të ardhmen. Për momentin nuk është e mundur të arrijmë objektiva madhorë. Na duhen ende një minimum prej 10 pikësh për të hyrë në Champions League. Për Kupën e Italisë do të mendojmë nga pasnesër”.
Allegri nuk është penduar për rikthimin te Juve: “Absolutisht jo. U ktheva shumë i lumtur dhe jam i lumtur. Unë kam djalin tim 10-vjeçar që jeton në Torino, kështu që ishte një zgjedhje për këtë arsye, si dhe për faktin që ende doja të punoja për Juven. Doja të kisha katër vite të mira për të ndërtuar diçka të rëndësishme, nuk jam penduar absolutisht”.