Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, Belinda Balluku, nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook ka bërë me dije se nesër në Tiranë do të mbahet Konferenca e Gazit.

Ajo do të zhvillohet në prani të të gjithë partnerëve të rëndësishëm të fushës, me një takim mes TAP-it, Exellerate Power dhe Socar.

“Projekti i Terminalit të lundrueshëm të furnizimit me LNG në gjirin e Vlorës është shndërruar në një projekt rajonal, për shkak të potencialit për të transformuar ekuacionin energjetik të rajonit, por edhe më gjerë”, shkruan Balluku.

Sipas saj, mbështetja nga partnerët TAP dhe Socar, si dhe angazhimi i plotë i Excelerate Energy, janë tregues të qartë se Qeveria Shqiptare ka vizionin e duhur për të ardhmen e sektorit energjetik.

“Me partnerët e duhur asnjë projekt nuk është tepër ambicioz”, përfundon ministrja.

Kompania amerikane Excelerate Energy Inc planifikon ta Shqipërinë për të ofruar gaz dhe produkte në pjesën tjetër të rajonit.

Balluku ka theksuar shpesh se Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit duhet të diversifikojnë dhe forcojnë furnizimin me energji.

“Ne kemi besim se LNG-ja mund të jetë çelësi për arritjen e këtyre synimeve strategjike dhe përfundimisht të zgjidhë projektin kompleks në qytetin e Vlorës, duke zgjedhur partnerët më të mirë, të cilët janë të pajisur për të zbatuar një projekt të këtyre përmasave”, është shprehur ajo.

Nga ana tjetër, kompania Excelerate Energy është shprehur se “projekti duhet të sjellë transformim në Shqipëri”.

Në fillim të vitit 2022, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), e cila administron hidrocentralet kryesore të vendit, shpalli një ftesë për shprehje interesi për mundësitë teknike dhe financiare të dhënies me qira të një aseti të energjisë termike që mund të integrohet lehtësisht në rrjetin e saj të transmetimit të vendit.

Në ftesë thuhet se, subjekti dëshiron të japë objektin me qira për një deri në tre vjet.

Gjithashtu, pala e tretë duhet të ofrojë shërbime të mirëmbajtjes dhe funksionimit gjatë kontratës dhe në përputhje me kërkesat e KESH-it.

Kërkesat përfshijnë funksionimin me naftë të lehtë dhe të rëndë.

Gjithashtu duhet të jetë “i përshtatshëm për instalim” pranë termocentralit ekzistues të Vlorës, në mënyrë që të mund të përdorë lehtësisht infrastrukturën ekzistuese të interkonjeksionit.