Kryeministri Rama ka vijuar inspektimet në qytetin e Beratit, ku po marrin jetë një sërë projektesh të fazës së dytë të Programit të Rilindjes Urbane, ndër të cilët projekti i madh i rikualifikimit urban të hapësirës me një vlerë të veçantë historike dhe turistike rreth Muzeut Etnografik, përgjatë rrugës tradicionale “Mihal Komneno”, “Mangalemit”, sheshit të “Selamllëkut” bashkë me zonën ku ndodhet kompleksi fetar me Xhaminë Mbret dhe Teqenë e Helvetive.

“Kjo do sjellë një ndryshim rrënjësor sepse faktikisht ajo që kemi kemi fol në pafundësi, tani Mangalemi duket sikur derdhet poshtë, plus edhe përfshirja e kompleksit fetar këtu,” u shpreh Rama.

“Rehabilitimet që po bëjmë kanë një gjë që unë besoj se është shumë e rëndësihme nga pikëpamja infrastrukturore. E gjithë logjistika e sipërme, që në zonën e vjetër e qytetit është problematike, kudo që jemi futur gjithçka është nën tokë. Gorica do jetë lagjja e parë, totalisht e rehabilituar,” shpjegoi kreu i Bashkisë së Beratit Ervin Demo.

“Kjo e bën realisht që Mangalemi lart është si koka e nuses në një fustan të gjatë dasme,” e cilësoi më tej Kryeministri Rama.