Papa ka dënuar mizoritë ruse, të tilla si masakra në Bucha, ndërsa mbante lart flamurin ukrainas. Papa Françesku ka kritikuar disa herë pushtimin rus në Ukrainë dhe e ka dënuar veprimet e Vladimir Putinit, shkruan The Guardian. “Gjithnjë e më shumë mizori të tmerrshme po ndodhin, madje edhe kundër civilëve, grave dhe fëmijëve të pafuqishëm. Ata janë viktima, gjaku i pafajshëm i të cilëve thërret në qiell. Të pushojë kjo luftë! Le të heshtin armët. Ndaloni të mbillni vdekjen dhe shkatërrimin,” tha Papa.

Ai gjithashtu i ftoi të gjithë të luten në heshtje për një moment për t’i kërkuar Zotit që kjo luftë të ndalojë, duke mbajtur flamurin e njollosur nga Bucha. Bashkë me Papa Françeskum ishin edhe disa fëmijë ukrainas refugjatë në Itali. “Këta fëmijë duhej të iknin dhe kanë ardhur në një vend të huaj. Ky është një nga frytet e luftës. Le të mos i harrojmë ata dhe të mos harrojmë popullin ukrainas”, tha ai.

Gjatë javës së kaluar, Papa tha se po mendonte të udhëtonte në Kiev. Rikujtojmë se zonat në rajonin e Kievit u çliruan gjatë javës së kaluar duke përfshirë Bucha-n. Gjatë fundjavës, bota pa imazhe dhe pamje të kufomave të shpërndara nëpër rrugë, disa prej të cilave i kishin të lidhura këmbët dhe duart.