Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në eventin e dorëzimit të 74 shtëpive individuale për banorët e njësisë administrative Ndroq, banesat e të cilëve u shkatërruan nga tërmeti i 2019-ës.
Në lagjen e rilindur është ndërtuar një qendër shëndetësore së bashku me një kopsht e çerdhe, ku do të akomodohen 90 fëmijë.
Objektet janë të pozicionuara pranë njëra – tjetrës, në mënyrë që banorëve të zonës t’u ofrohet akses sa më i shpejtë dhe efikas për këto shërbime.
Gjatë fjalës së tij Kryeministri u shpreh se:” Shtëpitë janë tuajat, siç është premtuar që në fillim, janë pronë që mund ta trashëgoni, ta jepni me qira, ta shisni njësoj si ata që janë pronarë legjitimë të shtëpive të tyre. Nuk i keni asnjë detyrim askujt dhe asnjë qindarkë për t’i kthyer mbrapsht, po vetëm detyrimin që këto oborre t’i gjelbëroni dhe lulëzoni. Më vjen jashtëzakonisht mirë që afro 300 banorë të tjerë do të hyjnë në këto shtëpi, që nuk janë thjeshtë strehë po janë banesa në një komunitet, njësoj si në resortet e tyre me të kamur dhe me parkim.”
“Ajo fjala që ne e patëm thënë në fillim besoj sot është fakt, që nga tërmeti që dëmtoi shumë rëndë një pjesë shumë të madhe të banorëve dolën më të fortë, sepse të gjitha familjet që humbën shtëpinë, sot janë më të pasura sepse kanë prona, si këto shtëpi, që vlejnë më shumë se ato që humbën dhe më shumë mundësi shërbimi. Kjo nuk do të ndodhte nëse ne nuk do të bënim një program që ka në thelb parimin se kushdo që e ka humbur shtëpinë ta përfitojë falas dhe kjo nuk ndodh në vendet e tjera ku ka ndodhur tërmeti, po e japin me kredi” tha Rama.