Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ka zhvilluar sot një takim me fermerë të qershive në Melan, Dibër.
Përmes rrjeteve sociale ministrja bën të ditur se, me Rrugën e Arbrit potencialet e zgjerimit të ofertë kërkesës së prodhimeve bujqësore janë shumëfishuar.
“Në Melan me fermerë të qershive. Prodhimi këtë sezon është i mbarë dhe pritshmëritë të mira por fermerët më shprehën kërkesën për ndërtimin e qendrave ruajtëse frigoriferike në Peshkopi. Përmes programeve tona të mbështetjes do ta adresojmë këtë nevojë, ashtu siç kemi bërë në shumë qarqe të Shqipërisë ku kemi ndërtuar infrastrukturë dhe krijuar një fuqi tërheqëse të prodhimeve që më parë nuk ekzistonte. Tashmë që Rruga e Arbrit e ka sjellë Dibrën në Tiranë dhe Tiranën në Dibër potencialet e zgjerimit të ofertë kërkesës së prodhimeve bujqësore janë shumëfishuar për këtë qark”, shkruan Krifca në statusin e saj.
Arritjet në sektorin e Bujqësisë janë të kënaqshme, ku vetëm në katër muajt e parë të vitit janë 37 mln euro më shumë eksporte.
Mendohet që në fund të këtij viti të arrihet në 550 mln dollarë eksporte në bujqësi, që do të thotë as më shumë as më pak 3.7 herë më shumë nga sa ishin në vitin 2013.