Njëjtë si katër vite më parë kur Ministria e Turizmit, nën logon e kësaj qeverie, pas një fushate të madhe sensibilizuese u tha “JO” qeseve plastike, edhe këtë herë, vendimi për ndalimin e përdorimit dhe tregtimit të tyre duket një flluskë sapuni

Qeset do të vijojnë të jenë në qarkullim, me përjashtim të atyre të biodegradueshme. Kjo shpjegon mungesën e frikës a panikut në radhët e prodhuesve të mëdhenj e shitësve, nga supermarketet e mëdha deri te dyqanet e lagjeve. Ata do të veprojnë normalisht, ndërsa blerësit që nuk marrin trasta me vete, do të paguajnë për qeset. Në 17 mars 2022, Kuvendi miratoi ndalimin e përdorimit të qeseve plastike duke nisur efektin nga e mërkura, data 1 qershor.

VENDIMI

Por cilat qese nuk do të jenë më në qarkullim?! Është vetë ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, që e ka bërë me dije më herët se nisma ligjore nuk ndalon gjithë gamën e qeseve në qarkullim, por vetëm ato njëpërdorimshme, me trashësi deri në 70 mikronë.

“Qeset e trasha, çantat e trasha plastike që janë shumëpërdorimshme, nuk ndalohen”, citoi ministrja në fillim të këtij viti, një muaj përpara miratimit të ligjit në Kuvend, ndërkohë që dokumenti në fjalë miraton specifikimet e qeseve të lejueshme në qarkullim. “Përjashtohen nga zbatimi i këtij vendimi, qeset plastike mbajtëse dhe qeset plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo të oxo-biodegradueshme, me trashësi për çdo anë 70 dhe më të madhe se 70 mikron, me kapacitet mbajtës 10 dhe mbi 10 kilogramë, me përmasa jo më pak se 50 cm gjatësia dhe 24 cm gjerësia, pa përfshirë gjerësinë e palosjes”, citohet në vendim.

Më konkretisht, bëhet fjalë për qeset njëpërdorimshme të holla që jepen në supermarket për frutaperime dhe të ngjashmet e tyre në dyqanet e vogla të lagjeve. Çdo qese tjetër me përmasat e cituara më lart konsiderohet shumëpërdorimshme dhe nuk do të jetë e ndaluar. Sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, është vlerësuar se në Shqipëri çdo njeri përdor mesatarisht 3 qese plastike në ditë, që përkthehet në rreth 3,2 miliardë qese në vit, ose 26.280 tonë qese plastike. Kjo sasi është krejt e panevojshme dhe e shmangshme, sipas tyre, pasi ato hidhen në kosh menjëherë pas përdorimit.

NISMAT

Në 16 tetor të vitit 2019, ministri i Mjedisit dhe Turizmit, asokohe Blendi Klosi, nga Fakulteti i Inxhinierisë së Mjedisit në Tiranë, promovoi nismën “Shqipëria, vendi i parë europian pa qese plastike”. Sipas kësaj nisme, synohej që deri në qershor të vitit 2020 (dy vite më parë), Shqipëria gradualisht do të shkonte drejt eliminimit të qeseve plastike në kuadër të nismës për mbrojtjen e mjedisit. “Ka ardhur koha që të bëhet një pakt kombëtar për Shqipërinë e pastër.

Nga fillimi i këtij viti të refuzojmë prodhimin dhe importimin e qeseve dhe nga 1 qershori 2020, ne të jemi vendi i parë europian pa qese plastike, për të shkuar më pas në refuzimin e plastikës njëpërdorimshme”. Besojmë se nuk ka nevojë të thuhet se pritshmëritë nuk janë përmbushur në masë të konsiderueshme, përveçse klientët paguajnë diçka më shumë në faturën totale të blerjeve për qeset mbajtëse. Në fillim të këtij viti, çështja u risoll në vëmendje. Pas një serie të gjatë diskutimesh e debatesh me grupet e interesit, ricikluesit e plastikës, u bë gati ligji i cili mori “OK” në muajin mars. Qeveria këmbëngul fort se këta të fundit nuk preken nga nisma, pasi qeset njëpërdorimshme janë vetëm një nga produktet që ato prodhojnë.

PENALITETE

Me nismën e dytë të qeverisë, të vulosur edhe në Kuvendin e Shqipërisë, paracaktohet që penalitetet të jenë jo vetëm për atë që shet një produkt me qese plastike njëpërdorimshme, por edhe për ata që blejnë, konsumatorët. Për këtë të fundit parashikohet dënim me gjobë deri në 500 mijë lekë, ndërsa për prodhuesit dhe importuesit gjoba deri në 1.5 milionë lekë. Por ka edhe masa më të rënda se kaq për shkelësit. Në radhë të parë sekuestrimi i të gjithë mallit që do të gjendet, sepse konsiderohet i paligjshëm. Nëse kjo përsëritet, do të hiqet licenca e aktivitetit për shkelësit e ligjit. Vendimi ngarkon disa institucione: Inspektoratin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, Drejtorinë e Përgjithshme e Doganave dhe Agjencitë Rajonale të Mjedisit, të cilat duhet të raportojnë periodikisht çdo javë, duke filluar nga nesër pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

“Epokë e re për Shqipërinë”

Mëngjesin e së hënës, Kryeministri i vendit e nisi me një postim në rrjetet sociale, përmes të cilit lajmëron se të mërkurën starton një faqe e re për Shqipërinë. “Duke iu kujtuar se prej së mërkurës nis një epokë e re për Shqipërinë patriotike, me ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshme në favor të mbrojtjes së atdheut të fëmijëve tanë. Ju uroj një javë të mbarë”, shkruan kreu i qeverisë në postimin e shoqëruar me nota atdhedashurie dhe një video ku i bëhet antireklamë përdorimit të qeseve plastike, të gjithave, pa përjashtim