Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, priti në një takim në MEPJ, Ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, Gabrielius Landsbergis.
Ministrja Xhaçka vlerësoi vëmendjen që Lituania ka treguar ndaj Shqipërisë, teksa shprehu mirënjohje për mbështetjen e palëkundur të Lituanisë ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
“Urojmë që, BE-ja do të vendosë mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me vendin tonë sa më parë. Gjithsesi, unë e sigurova kolegun Landsbergis se Shqipëria do të vijojë procesin e reformave. Një temë me shumë rëndësi, për të cilën shkëmbyem mendime, ishte situata aktuale e sigurisë në Evropë. Si një anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB dhe si bashkëpenëmbajtëse me SHBA për Ukrainën, Shqipëria ka qenë aktive dhe vazhdon të lobojë brenda KS për të siguruar mbështetje sa më të gjerë të mundshme për këtë çështje”, tha kryediplomatja Xhaçka në deklaratën e përbashkët për mediat.
Ndërkohë, Ministri Landsbergis vuri në pah se Shqipëria po ndjek të gjitha reformat e nevojshme për t’u anëtarësuar në BE.
“Sigurisht ne po ndjekim situatën në rajon dhe po shikojmë se Shqipëria po kontribuon dhe po vepron në përputhje me parimet e BE. Mendoj se është mjaft e rëndësishme të kemi progres të mëtejshëm dhe së bashku me Maqedoninë e Veriut të shpresojmë që do të ketë një anëtarësim sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE”, tha ai.
Në përfundim të takimit, dy ministrat nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për Konsultime Dypalëshe mes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Lituanisë. Vizita e ministrit Landsbergis në Shqipëri vjen në kuadër të një turi rajonal që ai po zhvillon në vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo vizitë përkon me kremtimin, pak ditë më parë, të 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Lituanisë.