Pas homazheve në nder të ish-presidentit Bujar Nishani në ambientet e Presidencës, Alfred Moisiu, Bamir Topi dhe ish-presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, kanë shprehur ngushëllimet e tyre në një prononcim të shkurtër për mediat.

“Ka qenë një president i mirë, i përkushtuar, që ka luftuar për të zbatuar kushtetutën, pra më vjen keq për këtë humbje të parakohshme të këtij njeriu që ka kontribuar për vendin tonë, në këtë rast dua t’i shpreh ngushëllimet familjes dhe të afërmve”, u shpreh Moisiu.

“Është një ditë e trishtuar për më tepër kur largohet në këtë moshe të re, duke lënë hidhërim tek familja dhe miqtë. E mbaj mend ditën kur i kam dorëzuar detyrën, 24 korrik 2012, është dita për të shprehur ngushëllimet për familjen dhe i lehtë i qoftë dheu, u prehtë në paqe”, u shpreh Topi.

“Humbje e madhe jo vetëm e familjes, por dhe shtetit shqiptar. Ka bërë punën më të mirë të mundshme në cilësinë e detyrës së tij. Ka dit të komunikojë me qytetarët e vendit. Do mbahet mend për situata të jashtëzakonshme që ka ditur t’i kapërcejë. Ndjej veten me privilegj që kam një njohur, një humbje e hershme dhe që do mbahet mend me pjesën e qetësisë që mori me vete dhe si ka qenë vetë si njeri, i qoftë dheu i lehtë, mbetet si borxh në vijim të përcillet modeli i tij”, tha Sejdiu.