Deri me datën 27 korrik të gjithë maturantët duhet të kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit për universitet në vlerën e 2 mije lekëve. Më pas, ata do të zgjedhin 10 degët e tyre të preferuara në portalin U-Albania gjatë raundit të parë, duke filluar nga data 29 korrik deri më 3 gusht.
Por cilat janë risitë e këtij viti?

Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj tregon se ndryshe nga vitet e kaluara, maturantëve do t’u dalin në sistem vetëm ato degë që mund të sigurojnë sipas mesatares që kanë, një mënyrë kjo skualifikimi që në formularin e aplikimit.

Xhelaj nënvizon se të gjithë ata maturantë që duan të kryejnë vetëm nivelin Bachelor dhe jo atë Master në fakultetin e Gjuhëve të Huaja, mund të aplikojnë por me planin se nuk do të specializohen për Mësuesi nëse nuk kanë mesataren 7.5.

Rrjeti Akademik Shqiptar siguron se procesi i aplikimit të formularit në të tre raundet nuk do të ketë probleme. Portali U-Albania është i hapur 24 orë në 7 ditë të javës jo vetëm për të aplikuar, por edhe për të marrë informacione mbi hapat që maturantet duhet të ndjekin para nisjes së studimeve universitare.