Zjarret në vend mbeten një problematikë edhe këtë të shtunë. Gjatë ditës së sotme janë raportuar 11 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten aktive dhe 7 janë nën mbikëqyrje, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Në Gojan-Gjegjan, Pukë – vijon operacioni nga toka dhe ajri. Për shuarjen e plotë janë angazhuar 190 forca dhe 2 helikopterë të FA-së si mbështetje. Ndërhyrja ka sjellë përmirësim të ndjeshëm të situatës në Gojan të Madh dhe Gojan të Vogël.

Shtanë–Tenë, Mirditë – operacioni vijon me forca zjarrfikëse, strukturave vendore, shërbimit pyjor dhe FA-së. Nuk ka rrezik për banesat.
Mali i Dajtit – vijon ndërhyrja me 30 forca zjarrfikëse, dhe 30 efektivë të FA-së, të mbështetur nga 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Shtuf, Mirditë – vatra mbetet aktive, por me intensitet të ulët dhe po monitorohet nga strukturat vendore.

Në Dukat të Vlorës, zjarri është vendosur në kontroll pas dy ditëve në luftë me flakët. Për shmangien e riaktivizimit të të tij, shërbimi zjarrfikës ndodhet në terren për monitorimin e zonës.

Në operacionet për shuarjen e plotë të vatrave janë angazhuar 332 forca operacionale dhe 15 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 150 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 automjete zjarrfikëse, 1 ekskavator i rëndë, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.