Zv/kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka thënë se sot të gjithë sytë e opinionit vendor dhe ndërkombëtar janë drejtuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, ku duhet të merret vendimi më i rëndësishëm për zhblllokimin apo jo të rrugës europiane.
Grubi ndër të tjera ka shkruar se Europa ka hapur dyert për këtë shtet dhe tani është koha të bëhet hapi vendimtar për të mirën e gjeneratave të ardhshme.
Postimi i plotë i Grubit:
Të gjithë sytë e opinionit vendor dhe ndërkombëtar kah Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku duhet të ndërmerret vendimi më i rëndësishëm për zhbllokimin apo jo të rrugës sonë europiane.
Me përkrahjen e madhe të të gjitha vendeve të Europës, porosinë e të cilave na e shprehu sot qartë në fjalimin e saj kryetarja e Komisionit Europian znj. Ursula von der Leyen, nuk duhet të mbizotërojë as edhe një dyshim i vetëm tek bashkëqytetarët tanë maqedonas rreth përmbajtjes korrekte të propozimit të presidencës franceze që nuk cënon identitetin gjuhësor, kulturor dhe historik të tyre.
Të nderuar deputetë, Europa ka hapur dyert e saj për ne, është koha të bëjmë hapin vendimtar për ardhmërinë e sigurtë dhe progresive të vendit dhe rajonit, për të mirën e gjeneratave të ardhshme.