Zëvendëskryeministrja, njëkohësisht dhe ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla është shprehur se askush nuk e di datën e saktë se kur do të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës.

Gërvalla tha se institucionet e Kosovës po punojnë në këtë drejtim dhe sipas saj ka progres.

“Sot, askush, as institucionet tona, as unë si ministre e jashtme, por as një përfaqësues i BE-së, nuk mund ta thonë datën e saktë se kur mund të ketë lëvizje të lirë. Sot, askush nuk e di, kur do të jetë hapi final dhe kur do të largohen vizat për qytetarët e Kosovës”, ka thënë ministrja, sipas raportimit të mediave kosovare.

Gërvalla tha se nuk mund të konfirmojë që liberalizmi mund të bëhet realitet në shtator, sikurse po flitet.

“Nuk mund të them se do të ndodh në shtator, do t’ju gënjeja”, tha ministrja .

Gërvalla ka folur edhe për deklaratat e Vuçiç, i cili paralajmëronte liberalizimin e vizave të Kosovës më 23 qershor.

“Çdo gjë që thotë Vuçiçi në raport me Kosovën, nga opinioni, duhet marr me shumë rezerva dhe prandaj ka ndodhur ajo që është pritur. Detyrë e institucioneve të Kosovës është të punojnë për ditë, që liberalizimi i vizave, me aq sa është brenda mundësive tona, të realizohet sa më shpejt. Detyrë e institucioneve nuk është të merren me thashetheme, por të merren me punët. Kemi biseduar me shumë shtete, kemi punuar në hapa të vegjël dhe të mëdhenj me shtete që kanë shtete skeptike”, është shprehur Gërvalla.