Kosova nga e hëna e 1 Gushtit do të fillojë zbatimin e reciprocitetit për letërnjoftime me Serbinë dhe fillimin e regjistrimit me targa RKS për automjetet me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”. Ndërsa sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lajmëruar mbledhje të Këshillit të Sigurisë.
Kryeministri këtë e konfirmoi edhe gjatë konferencës të së shtunës ku tha se në këtë mbledhje do të diskutohet nëse janë marrë të gjitha masat që të dy vendimet qeveritare te zbatohen.
“Duke pasur parasysh se javët në vijim është e domosdoshme që gjithçka të shkojë mirë me procesin e shndërrimit të targave të automjeteve dhe në çdo vendkalim kufitar gjitçka të shkojë mirë sa i përket efikasitetit të dokumenteve të cilat do të lëshohen për qytetarët që vijnë nga Serbia në Kosovë e kemi një mbledhje të Këshillit të Sigurisë ku do t’i diskutojmë me krerët e organeve dhe agjencive të ndryshme shtetërore dhe me disa prej ministrave çështjet të cilat do të mund të shfaqin e që duhet ti kemi parasysh”, deklaroi Kurti.
Mbledhja është paralajmëruar për orët e mëngjesit por pa dhënë detaje, ashtu siç ndodhë zakonisht me mbledhjet e këtij organi diskutimet dhe vendimet e të cilave rrallë bëhen publike, pasi kështu e parashikon edhe ligji.
Kurti shtoi se ka njerëz që nuk ju pëlqen ligjshmëria dhe kushtetutshmëria Kosovës prandaj i duhen për të kuptuar nëse janë përgatitur mirë të gjitha institucionet.
“E dimë që ka njerëz jashtë ligjit, ka kriminelë të llojeve e ngjyrave të ndryshme, të cilët nuk ju pëlqen ligjshmëria dhe kushtetutshmëria dhe të cilët dëshirojnë që ta sfidojnë shtetin e Kosovës andaj kjo mbledhje është për tu diskutuar se a janë marrë të gjitha masat që gjithçka të shkojë ashtu siç është menduar, pra ashtu siç është planifikuar gjithnjë sipas shteti të së drejtës që është edhe sundimi i ligjit, edhe kushtetutshmëria”, tha Kurti.
Po ashtu, gjatë ditës së shtune, Kurti iu drejtua të gjithë serbë në gjuhën e tyre duke iu shpjeguar se arsye për marrjen e këtyre vendimeve është mbrojtja e të drejtave të tyre.