Kush ndot mjedisin, transporton mbetje në kundërshtim me ligjin apo djeg në mënyrë të pakontrolluar mbetjet do të përballet me gjoba të rritura. Këshilli i Ministrave propozon ndryshimin e ligjit, “Për Trajtimin e Integruar të Mbetjeve”, duke propozuar rritjen e vlerës së gjobave.
Në draftin e ri të hedhur për konsultim publik thuhet se çdo person nuk diferencon mbetjet, i asgjëson ato në kundërshtim me ligjin, transferon mbetje pa dokumentacion apo transporton mbetje të rrezikshme në automjet do të marrë masë administrative. Gjoba pr këto raste varion nga 1.3 milionë lekë deri në 1.95 milionë lekë, nga 1 deri në 1.5 milionë lekë që ka qenë deri më tani.
Nga ana tjetër dy muaj pas implementimit të ligjit për të ndaluar qeset plastike njëpërdorimëshme, ministria propozon ashpërsim të gjobave. Për të gjithë ata persona që prodhojnë, importojnë, tregtojnë qeset e ndaluara do të gjobiten nga 650 mijë lekë deri në 1.95 milionë lekë. Aktualisht vlera e ndëshkimit është nga 500 mijë lekë deri në 1.5 milionë lekë.
Po ashtu, të gjithë ata persona që janë krijues mbetjesh që i trajton ato jo në përputhje me ligjin, i transferon ato tek një person i paautorizuar, apo çdo person që angazhohet në transferimin e mbetjeve të rrezikshme dhe që nuk dërgon informacion në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit do të gjobitet nga 650 mijë lekë deri në 1.3 milionë lekë, nga 300 deri në 500 që kanë qenë gjobat në ligjin e vjetër.
Synimi i ashpërsimit të gjobave është ulja e ndotjes së mjedisit dhe djegies pa kriter të plehrave pranë zonave të banuara siç ka ndodhur në vitet e fundit.
Një tjetër ndryshim i parashikuar në projektligj është edhe ngritja e një strukture përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit, në mënyrë që kontrolli të mos jetë më në dorën e Inspektoratit të mjedisit.