Paul Pogba duhet të zgjedhë nëse do të operohet apo jo në gju pas dëmtimit të pësuar shumë pak kohë pas kthimit të bujshëm tek Juventus-i.
Megjithatë, vendimi i tij do të ketë pasoja për Kupën e Botës. Mesfushori ka pësuar një dëmtim serioz në gjurin e djathtë gjatë fazës përgatitore në Amerikë.
Dhe tani duhet të vendosë nëse do të operohet apo jo, sipas Foot National. Kampioni i botës do të takohet me një specialist në Lyon për t’u këshilluar mbi hapat që duhet të ndjekë.
Një operacion do ta mbante larg fushave për katër muaj të tjerë dhe do ta detyronte të mungonte në Kupën e Botës që do të zhvillohet mes nëntorit dhe dhjetorit në Katar.
Por ka edhe mjekime të tjera alternative që mund ta mbajnë atë larg fushave për vetëm dy muaj dhe t’i japin mundësinë që të kthehet në kohë për Botërorin.
Megjithatë, nëse Pogba do të zgjedhë këtë trajtim, atëherë do të jetë më i prirë që të pësojë një dëmtim akoma më serioz në gju më vonë në karrierën e tij.
Juventus do të donte që lojtari të operohej tani dhe ta humbte Kupën e Botës. Por duket se francezi ka një dëshirë të madhe të përfaqësojë vendin e tij në Katar.
Ai ka luajtur një rol kyç në Kupën e Botës të fituar nga Franca në 2018-ën, duke shënuar në finalen kundër Kroacisë, me Les Bleus që e kanë ngritur trofeun për një herë të dytë.
Paul u largua nga Manchester United në fillim e kësaj vere pasi kontrata e tij një Old Trafford skadoi. Ai u kthye tek Juventus me kosto zero, por u dëmtuar vetëm dy javë pas nënshkrimit të kontratës me gjigantët e Italisë.