Koordinatori i qeverisë amerikane për luftën kundër korrupsionit global, Richard Nephew tha sot se Shqipëria është një partner i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.

Sipas Zërit të Amerikës, në konferencën e tij të parë për shtyp të enjten në Uashington, ai foli edhe për Ballkanin Perëndimor, duke thënë se problemet e tjera ekzistuese në rajon, përkeqësohen si pasojë e korrupsionit.

Ai vlerësoi Shqipërinë si partner të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe tha se SHBA do ta luftojë korrupsionin kudo që ta ndeshë.

Në paraqitjen e parë para medieve në Uashington, Nephew, i cili u emërua në korrik nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, tha se administrata e presidentit Joe Biden ka treguar qysh në vitin e parë të punës se lufta kundër korrupsionit është “interes thelbësor i sigurisë kombëtare dhe një nga përparësi e politikës së jashtme amerikane”.

“Ne do të vazhdojmë të promovojmë llogaridhënien e zyrtarëve të korruptuar përmes të gjitha programeve tona, atë të sanksioneve, kufizimeve financiare dhe të vizave nga Departamenti i Shtetit”, tha Nephew.

“Një nga takimet e para që kam pasur kur e kam marrë këtë pozitë ka qenë me Prokurorin Special të Shqipërisë si dhe me disa prej zyrtarëve të tij. Ishte shumë e qartë për mua, që në atë diskutim, se Shqipëria është një partner i rëndësishëm ndërsa ne kemi disa programe për ndërtimin e kapaciteteve kundër korrupsionit si dhe kemi disa aktivitete të tjera që janë duke u mbajtur me Shqipërinë”, tha i emëruari i qeverisë amerikane për luftën globale kundër korrupsionit.

Shtetet e Bashkuara u kanë ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara për shkak të korrupsionit, disa figurave në politikën e Shqipërisë, mes së cilëve ish-kryeministri Sali Berisha është emri më i njohur.

Në përgjigje të pyetjes së Zërit të Amerikës se disa herë në Shqipëri është shprehur shqetësimi se veprimet e SHBA-së në lidhje me korrupsionin në Shqipëri janë të përqendruara më shumë tek njerëzit që nuk janë më në pushtet, ndërkohë që vetë raportet e përvitshme të Departamentit të Shtetit flasin për “korrupsionin e përhapur në të gjitha degët e qeverisë”, Nephew tha se kritikat për këtë nuk janë të arsyeshme.

“Theksi dhe vëmendja jonë është tek sfida e korrupsionit, jo kush është personi që po e shkakton korrupsionin. Besoj se do ta shihni që ne do të vazhdojmë t’i trajtojmë çështjet e korrupsionit kudo që i gjejmë ato… Nuk mendoj se kritikat janë të arsyeshme në atë drejtim, por unë prapë do e nënvizoja partneritetin tonë të vazhdueshëm dhe se ne do të vazhdojmë t’i trajtojmë të gjitha çështjet për të cilat kemi shqetësime”, tha Nephew.

Zyrtari amerikan gjithashtu tha se qeveria e SHBA-së gjithmonë i kushton vëmendje luftës kundër korrupsionit në tërë Ballkanin perëndimor, megjithëse kohët e fundit tensionet ndër-etnike janë ato që kanë marrë vëmendjen më të madhe.