Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm përshtypjet e pushuesve në plazhin e Dhërmiut.
“Mirëmëngjes dhe me përshtypjet më të mira të pushuesve në plazhin e Dhërmiut, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
“Plazhi shumë mirë, çdo gjë në rregull. Nuk është aq sa është fryrë nëpër media”, tha një pushues.
“Kemi spanjoll, brazilianë, disa shtetësi të çuditshme që s’i kemi parë vitet e tjera, por besoj është ngaqë u hapën kufijtë edhe filloi fluksi i tyre”, u shpreh administratori i një biznesi.
“Jam vërtet e lumtur që erdha këtu. Më ka pëlqyer shumë. Nuk kam asgjë negative për të thënë me të vërtetë dhe nuk e them për mirësjellje, por kështu është”, u shpreh një turiste italiane.
“Ka dhe nga ata që vijnë çdo vit, por ka edhe të rinj. Pothuajse vijnë nga të gjitha vendet, nga Italia, vijnë nga vendet sllave, nga Ballkani, nga Serbia, nga Ukraina”, u shpreh një tjetër administrator biznesi.
“Ne vijmë nga Shijaku në Durrës, por jetojmë në Itali. Shumë i bukur. Uji shumë i pastër dhe atmosfera na pëlqen shumë”, u shpreh një pushuese shqiptare që jeton në Itali.
“Është hera e parë që vijmë në Shqipëri. Shumë i bukur Dhërmiu. Nuk mund të ankohemi, janë shumë mikpritës. Hamë pak ushqim italian, aq sa është e mundur, por është i mirë”, u shpreh një turist italian.
“Ne vijmë nga Durrësi, por jetojmë në Itali dhe kemi ardhur këtu për herë të parë. Shumë mirë, plazhi shumë i bukur dhe atmosfera është shumë e mirë këtu dhe na pëlqen shumë”, u shpreh një tjetër pushuese.