Komisioni Evropian propozoi pezullimin e 7.5 miliardë eurove fonde për Hungarinë, teksa pret që Budapesti të përmbushë reformat e premtuara sa i përket luftës kundër korrupsionit. Bashkimi Evropian dhe Hungaria prej muajsh kanë mosmarrëveshje, me Brukselin që dyshon se Qeveria e udhëhequr nga nacionalisti Viktor Orban po minon sundimin e ligjit dhe po shfrytëzon paratë e BE-së për të pasuruar miqtë e tij.

“Komisioni propozon pezullimin e 75 për qind të angazhimeve për programet e kohezionit dhe politikën e kohezionit, që arrin vlerën prej 7.5 miliardë eurosh. Hungaria është zotuar që ta njoftojë plotësisht Komisionin për zbatimin e masave përmirësuese deri më 19 nëntor. Ne do ta vlerësojmë edhe një herë situatën”, tha BE.

Vendimi përfundimtar për këtë propozim do të merret nga Këshilli i BE-së. Të shtunën, Qeveria hungareze tha se deputetët do të votojnë javën e ardhshme një sërë ligjesh që kanë për qëllim që të ulin tensionet me bllokun evropian sa i përket përmbushjes së reformave.

Gergely Gulyas, shefi i stafit të Orbanit, u tha gazetarëve se deputetët hungarezë pritet të votojnë masa që kanë për qëllim të zbusin shqetësimet rreth korrupsionit dhe mungesës së transparencës në prokurimet publike.

“Projektligjet do t’i dërgohen Parlamentit javën e ardhshme. Ne presim që të hënën dhe të premten ato të votohen dhe të hyjnë në fuqi në nëntor”, tha ai.

Masat e reja pritet të përfshijnë krijimin e një trupi monitorues kundër korrupsionit, me qëllim që të monitorohen fondet e BE-së. Njoftimi i KE-së për pezullimin e fondeve vjen në kohën kur Hungaria po përballet me nivel të lartë të inflacionit. Megjithatë Hungaria ka treguar gatishmëri për të trajtuar problemin, duke përfshirë shpalljen e një autoriteti të pavarur për të monitoruar përdorimin e fondeve të BE-së.