Këtë vit shënohet 50 vjetori i standardizimit të gjuhës shqipe. Nga 20 deri në 25 nëntor të vitit 1972 në Tiranë i zhvilloi punimet Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe (Gjuhës standarde).Për të shënuar këtë përvjetor, institucionet albanologjike në Shkup, Tiranë e Prishtinë po zhvillojnë një sërë aktivitetesh.

Në Tiranë sot, Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës mbajnë një takim, ku të ftuar janë akademikë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut si dhe drejtues shtetërorë, përfshirë Kryeministrin Rama dhe Presidentin Begaj.

Ne fjalën e tij hapëse, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjjinushi, vlerësoi vendimmarrjen e 50 viteve më parë si një moment thelbësor për identitetin kombëtar.

“Së bashku me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës kemi punuar për t’i dhënë kësaj ngjarjeve vëmendjen e duhur. Mirënjohje të gjithë atyre që kontribuuan në Kongresin e gjuhës shqipe 50 vite më parë. Gjuha është baza e kombit shqiptar. Gjuha është së pari e lidhur me identitetin.

Shqiptarët, të orientuar tërësisht drejt një bashkësie të qytetëruar evropiane, siç është Bashkimi Europian, do të bëhen pjesë e saj jo si toskë e gegë, por si shqiptarë e si një komb. Në aktet e Bashkimit Europian dhe në sallat e vendimmarrjes europiane për ta do të ketë një sportel gjuhësor, një kabinë të vetme përkthimi, dhe në to do të përdoret shqipja e njësuar letrare, siç po kërkohet edhe institucionalisht. Gjuha e bashkimit do të kthehet në gjuhë të integrimit”, tha Gjinushi.