Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar për zhvillimet në veri të vendit, pas dorëheqjes së Listës Serbe nga të gjitha institucionet. Në postimin e tij në rrjetet sociale, Kurti ka shkruar se përfaqësuesit e Listës Serbe i kanë thënë atij se do të organizojnë një rezistencë të ashpër kundër gjobave për targat ilegale.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që jetojnë në veri të vendit, të përmbahen dhe të ruajnë qetësinë. Haradinaj tha se destabilizimi i situatës nuk është në favor të askujt, përveç të atyre që ndjekin agjendën ruse. Gjithashtu, ai kërkoi nga Kurti që “të reflektojë dhe të ndërprejë shkatërrimin e vendit, përndryshe do të jemi të detyruar ta ndërprejmë ne, me të gjitha mjetet demokratike në dispozicion”.
“Sot me Këshillin e Përgjithshëm të Aleancës, riafirmuam vendosmërinë tonë për mbrojtjen e interesave nacionale të Kosovës dhe orientimin proamerikan. Me këtë rast, ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që jetojnë në veri të vendit, të përmbahen dhe të ruajnë qetësinë, duke mos rënë pre e politikave të gabuara. Kosova është shtet i të gjithëve, e nuk është në favorin e askujt destabilizimi i situatës, përpos atyre që ndjekin agjendat ruse. Sa i përket Kurtit, janë momentet e fundit që të reflektojë dhe të ndërprejë shkatërrimin e vendit, përndryshe do të jemi të detyruar ta ndërprejmë ne, me të gjitha mjetet demokratike në dispozicion”, ka shkruar Haradinaj.
Ndërsa Kryetari i Partisë Demokratike i Kosovës, Memli Krasniqi tha se është i shqetësuar me zhvillimet në veri të vendit, i cili i kërkoi Kurtit që të sqarojë qytetarët e Kosovës se çfarë është duke ndodhur. Ai shtoi se qytetarët duhet të ishin të informuar se cilët do të ishin hapat e radhës të institucioneve të Kosovës.
“Zhvillimet e sotme në veri të vendit shënojnë një akt të paprecedent, jo vetëm të cenimit të sovranitetit juridik e shtetëror të Republikës së Kosovës, por edhe të cenimit të rendit publik, i cili është bazë për sigurinë e jetës së të gjithë qytetarëve të asaj zone, pa dallim. Jam jashtëzakonisht i shqetësuar me këto zhvillime dhe në rrethana kur nuk ka një epilog të qartë rreth tyre është obligim i qeverisë që t’ua sqarojë qytetarëve se çka në të vërtetë është duke ndodhur atje. Prandaj, kërkoj nga kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, që t’ju drejtohet qytetarëve për t’i njoftuar për seriozitetin e situatës dhe për hapat që do të ndermarrin institucionet e vendit për të garantuar ruajtjen e rendit publik, jetës së qytetarëve dhe sovranitetit të vendit. Situata është duke ndryshuar nga ora në orë dhe rreziku i përshkallëzimit është evident. Kjo duhet të shmanget dhe qëllimi duhet të jetë ruajtja e paqes dhe sigurisë”, ka shkruar Krasniqi.