Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së, Silva Bino, apeloi sot qytetarët të kryejnë vaksinimin për COVID-19 dhe gripin.

Përmes një videomesazhi bashkë me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu nga qendra shëndetësore Nr.1, Bino shpjegoi domosdoshmërinë e marrjes së dozave përforcuese të vaksinës për COVID-19.

“Vaksinimi me doza përforcuese rrit imunitetin ndaj COVID-19. Është i rëndësishëm edhe kur je vaksinuar me dozat primare, apo ke kaluar infeksionin, pasi nuk ke atë mbrojtjen e mjaftueshme. Doza përforcuese krijon imunitet më të qëndrueshëm”, tha Bino.

Sipas saj, kjo jo vetëm për COVID-19.

“Në progamin e vaksinimit ne kryejmë 5-6 vaksinime për tetanozin gjatë jetës. Për COVID-19 kryejmë deri në 4 vaksinime”, u shpreh Bino.

Bino foli dhe për kombinimin e vaksinës së gripit me atë të COVID-19.

“Duke qenë se dhe COVID-19 dhe gripi janë infeksione respiratore, pra të rrugëve të frymëmarrjes, është e rëndësishme që vaksinimi të kryhet në të njëjtën kohë. Duke i kryer të dyja njëkohësisht, ti mbrohesh ndaj dy sëmundjeve respiratore që qarkullojnë gjatë dimrit “, u shpreh shefja e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së, Silva Bino.

Rreth 170 mijë qytetarë, kryesisht të moshuar mbi 60 vjeç, gra shtatzëna, fëmijë janë vaksinuar me vaksinën kundër gripit deri tani.

Ndërsa, janë aplikuar rreth 3 milion doza vaksine antiCOVID dhe ka një përthithje të konsideruar të kënaqshme nga ekspertët të vaksinave disponibël, në nivelin 87%.