Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se vendi i tij e ka bërë të qartë tashmë se “nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës” ose që “kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik” të saj.
“Ne kundërshtojmë rreptësisht krijimin e një entiteti që i ngjan Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha Hovenier.
Ai i bëri komentet pas një diskutimi që organizoi të martën Ambasada amerikane në Prishtinë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Marrëveshja për formimin e këtij asociacioni është arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por ajo nuk është zbatuar kurrë. Në Prishtinë, zyrtarët thonë se nuk mund të lejojnë formimin e një asociacioni njëetnik me kompetenca ekzekutive, ndërsa në Beograd insistojnë në themelimin e tij.
Në diskutimin e organizuar nga Ambasada amerikane morën pjesë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, liderë të partive politike, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe diplomatë. Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha për Radion Evropa e Lirë se pjesëmarrësit diskutuan për kornizën politike dhe ligjore të Asociacionit dhe se “diskutimi ishte interesant”.