Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka publikuar shifrat zyrtare të flukseve turistike për vitin 2022. 7,5 milionë vizitorë të huaj kanë frekuentuar Shqipërinë gjatë vitit që shkoi, 1.9 milionë më shumë se viti 2021 dhe 18% më shumë se viti 2019 që deri tani mbante rekordin si viti më i mirë në turizëm.
Viti 2022 pati flukse të larta edhe gjatë sezonit të dimrit, duke pasqyruar të dhëna pozitive drejt orientimit të një turizmi gjithëvjetor dhe jo vetëm të sezonit veror.
Kumbaro ka theksuar se ka të dhëna interesante për sa i përket diversifikimit të hartës turistike gjatë vitit 2022 me vende si Spanja, Anglia, Hollanda apo vendet nordike. Gjithashtu ministrja nuk ka lënë pa përmendur vizitorët nga Kosova si shtylla më e fortë e turizmit në vendin tonë:
“Mysafirët nga Kosova janë shtylla jonë më e fortë e kemi detyrimin më të madh për t’u ofruar cilësinë maksimale në shërbim. Kanë pasur rritje të vizitorëve në përgjithësi hyrjet nga Ballkani, që nga Maqedonia e Veriut e Mali i Zi, por edhe mbi 50% rritje kanë pasur flukset nga Rumania, Kroacia apo Bullgaria”, është shprehur ministrja Kumbaro. Po ashtu ka pasur një rritje me 3,7 herë të turistëve nga Spanja, 3 herë më shumë të atyre nga Holanda, 2 herë më shumë nga vendet nordike dhe Sllovenia, apo një rritje 85% të vizitorëve nga Anglia dhe 84% nga Turqia.
Turizmi në këtë vit ka qënë një ndër fushat e rëndësishme për të gjeneruar të ardhura në ekonominë e vendit. Bazuar në raportin e bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë, gjatë periudhës janar – shtator të vitit 2022, rezulton se të ardhurat neto nga udhëtim/turizmi janë 842.9 milionë euro, vlerë kjo e rritur 25.3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
63ba990006e12