Kancelari gjerman Olaf Scholz dëshiron të përshpejtojë ndjeshëm zhvillimin e energjisë së erës në Gjermani. “Ne po trajtojmë zgjerimin e energjisë së erës në përgjithësi. Jemi në procesin e krijimit të një plani kohor, se çfarë centralesh të reja me energji ere duhet të ndërtohen deri kur, për të arritur objektivat tona për vitin 2030”, tha ai për gazetën “Bild am Sonntag”.
“Çdo muaj do të ketë një bisedë me landet federale për të konstatuar se ku janë. Ajo që nuk është bërë në kohë duhet të kompensohet. Deri në vitin 2030, kjo do të përfaqësojë një mesatare prej katër deri në pesë turbina me erë në ditë në tokë”. Sipas të dhënave të industrisë, Gjermania aktualisht ka më shumë se 28000 turbina me erë në tokë me një fuqi totale prej rreth 58 gigavat.
“Më shumë vrull në inovacion dhe modernizim”
“Ne kemi nevojë për më shumë vrull në inovacione dhe për modernizimin e industrisë sonë, në mënyrë që të jemi neutralë ndaj klimës në vitin 2045,” tha Scholz. Objektivi është të bëjmë një përparim të rëndësishëm në zhvillimin e energjisë së erës dhe diellit, “në mënyrë që të jemi më pak të varur nga importet e gazit fosil, qymyrit ose naftës”.
Objektivi i qeverisë gjermane është të arrijë një kapacitet të instaluar prej 115 gigavat deri në vitin 2030. Energjia e erës në tokë luan një rol kyç në tranzicionin e energjisë. Vitin e kaluar, fuqia e turbinave me erë në tokë u rrit vetëm pak. Sipas të dhënave të industrisë, ajo u rrit me 4.3 për qind. Kështu u ndërtuan 551 instalime me fuqi 2403 megavat.
Ligji i Energjisë së Erës në Tokë përcakton objektivat e zonës për zhvillim. Deri në fund të vitit 2032, landet federale duhet të ndajnë dy për qind të territorit të tyre për energjinë e erës. Deri tani, kjo shifër është 0.8 për qind sipas Ministrisë Federale të Ekonomisë.
Shumë frikëra nuk u konfirmuan
Përballë luftës në Ukrainë, inflacionit dhe krizës energjetike, Scholz-i tha: “Vendi ynë e kaloi këtë periudhë të vështirë shumë më mirë se sa patën frikë shumë vetë”. Ai kujtoi frikërat që ishin parashikuar, si ajo për një “dimër të zemëruar me demonstrata masive” dhe ajo për shtëpi të ftohta dhe njerëzve që dridheshin nga të ftohtit në Gjermani. “E gjithë kjo nuk ndodhi”. Po të mos ndodhë diçka e paparashikueshme, ai ka besim edhe për dimrin e ardhshëm, tha kancelari.